I preu kokën nënës në Pogradec, hetim edhe për personat që nxorrën Olsi Çekiçin nga psikiatria - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

08/08/2020 12:16

I preu kokën nënës në Pogradec, hetim edhe për personat që nxorrën Olsi Çekiçin nga psikiatria

Shqiperi

Gazeta Express

08/08/2020 12:16

Ngjarja e rëndë mbrëmjen e së enjtes në fshatin Buçimas të Pogradecit, ku djali 44 vjeçar Olsi Çekiçi masakroi me thikë nënën e tij 70-vjeçare, pritet të ketë një hetim kompleks.

Edhe pse për ngjarjen nuk ka ndonjë mëdyshje mbi dinamikën apo autorësinë, hetimet pritet të përqendrohen edhe në faktin e trajtimit të problemeve mendore që ka pasur autori i kësaj ngjarje. Dhe natyrisht të dalin përgjegjësitë, nëse do të ketë, të institucioneve mjekësore që kanë pasur për detyrë ta trajtojnë apo monitorojnë gjendjen e tij.

Por paraprakisht A2 është interesuar pranë Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci” në Elbasan, ku 44-vjeçari Olsi Çekiçi rezulton se ka qenë i shtruar dy herë. Sipas të dhënave zyrtare nga ky spital rezulton se Çekiçi ka qenë i shtruar në muajt janar dhe tetor të viti 2019, ku ka qëndruar shtruar për 10 ditë.

Në kartelën e tij është shënuar që 44-vjeçari ishte kuruar për varësi ndaj lëndëve narkotike dhe se nuk kishte shfaqur shenja të tjera të agresivitetit apo çrregullimeve të tjera që janë kusht për mbajtjen e izoluar të një personi.

Por ngjarja në familjen Çekiçi tregoi se 44-vjeçari jo vetëm që shfaqi shenja dhune, por duke kaluar madje deri në makabritet. Për këtë arsye, prokuroria e Pogradecit, një pjesë të rëndësishëm të hetimit të kësaj ngjarje do ta përqendrojë te mënyra e kurimit dhe trajtimit të Olsi Çekiçit.

Ky hetim duhet të shërbejë që autoritetet të kthejnë vëmendjen edhe ndaj personave të tjerë që dihen që janë me probleme të shëndetit mendor, por që enden rrugëve pa trajtim mjekësor, duke rrezikuar ngjarje të ngjashme si ajo e Buçimasit dhe Palasës vite më parë ku pre e këtyre personave me probleme kanë rënë fëmijë dhe të moshuar, familjarë të tyre dhe që janë masakruar.