Federata Shqiptare e Futbollit organizoi mbrëmë një darkë në “Pallatin e Brigadave” me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të futbollit europian, të cilët ndodheshin në Tiranë për mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi mikpritjen e FSHF-së dhe Presidentit Armand Duka, si dhe nënvizoi zhvillimin e futbollit shqiptar dhe Shqipërisë.
Ai theksoi edhe njëherë mesazhin e fuqishëm se futbolli dhe sporti duhet të bashkojnë njerëzit.
“Është gjithmonë kënaqësi të jem në Shqipëri. Sa herë që vij, shoh ndryshime në infrastrukturë, shoh gjëra të reja të ndërtuara. Ende nuk e kuptoj pse Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Europian. Por mendoj se jeni pranë.
Futbolli po zhvillohet këtu falë punës së mirë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të mikut tim të dashur Armand, si dhe të mbështetjes së qeverisë. Më pëlqen ky raport miqësor edhe pse ndonjëherë dinë të jenë këmbëngulës kur duan të më shtyjnë t’u jap ndonjë kompeticion. Por ua shpjegova që kjo është një vendimmarrje e Komitetit Ekzekutiv dhe nuk mund të premtoj asgjë.
Miqtë e mi, futbolli bashkon njerëzit. Jo vetëm futbolli, sporti bashkon njerëzit”, tha Presidenti Čeferin në fjalën e tij.
Presidenti i Federatës së Futbollit Shqiptar, Armand Duka, gjatë darkës së organizuar në Tiranë në nder të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, u shpreh i nderuar për mbajtjen e këtij takimi historik për herë të parë në Shqipëri.
Ai theksoi rrugëtimin e futbollit shqiptar nga infrastruktura modeste drejt standardeve moderne falë mbështetjes së qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përmendur sukseset si finalja e UEFA Europa Conference League dhe organizimi i Kampionatit Europian U-17.
Presidenti Duka falënderoi UEFA-n për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se Shqipëria tashmë ka dëshmuar aftësinë e saj për të pritur aktivitete të nivelit më të lartë dhe është e gatshme për sfida të tjera madhore në të ardhmen, duke përfshirë edhe synimin për të mirëpritur një ditë finalen e Superkupës së UEFA-s në Tiranë./GazetaExpress/