Këtë të mërkurë, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili, i cili është marrë i pandehur si anëtar i grupit kriminal për hakerimin e SPAK-ut, është paraqitur në GJKKO.
Agim Ismaili, akuzohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sistemi kompjuterik i SPAK, u sulmua më 12 mars të vitit të kaluar dhe u zbulua disa ditë më vonë. SPAK bëri me dije më 3 prill se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-ve të prokurorëve të posaçëm.
Në njoftim, nënvizohej se nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme.
Sipas SPAK, autorët kishin arritur të merrnin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.
Sipas njoftimit të SPAK, u tentua të ndërhyhet edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Në hetimet e para u identifikuan si përgjegjës dy persona të cilët u arrestuan, ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni dhe ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj.
Dy të arrestuarit, dyshohet se i kanë shpërndarë të dhënat dhe tek persona të tjerë që po verifikohen për rolin e tyre në këtë ngjarje.