I pabinduri Bolsonaro - Pas infektimit me koronavirus, po e përdor ilaçin e dyshimtë - Gazeta Express

I pabinduri Bolsonaro – Pas infektimit me koronavirus, po e përdor ilaçin e dyshimtë

Lajme

Gazeta Express

08/07/2020 8:47

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka thënë se ka besim që do të shërohet shpejt nga koronavirusi përmes trajtimit me ilaçin hidroksiklorokuinë, që më parë është përdorur kundër malaries dhe nuk është dëshmuar efikas kundër sëmundjes Covid-19.

Bolsonaro njoftoi të martën se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, pas nënvlerësimit të vazhdueshëm që ia ka bërë rrezikut nga virusi, ndonëse numri i viktimave rritej vazhdimisht në vendin e tij, që radhitet i dyti në botë në këtë aspekt.

Presidenti të hënën tha para gazetarëve se i ka kontrolluar mushkëritë me rreze X pasi përjetoi temperaturë të lartë, ethe, dhimbje në muskuj dhe plogështi. Të martën, ai tha se temperatura dhe ethet i janë pakësuar, duke iu falënderuar, sipas tij, trajtimit me hidroksiklorokuinë.

Më vonë, ai e publikoi një video në Facebook duke e marrë dozën e tretë të kësaj substance, e cila më parë është promovuar edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Deri më tani, më shumë se 1.5 milion brazilianë janë infektuar me koronavirus dhe mbi 65,000 kanë vdekur. Shifra më të larta kanë vetëm Shtetet e Bashkuara.