Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për situatën e zjarreve së fundmi në vendin tonë, duke u shprehur se kjo situatë ka ardhur si pasojë e thatësirës, e cila ka favorizuar përhapjen masive të zjarreve.
Në një reagim zyrtar ministria bën thirrje strukturave të mbrojtjes civile që të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarret, si dhe iu bën apel qytetarëve që të tregohen të kujdeshëm zonat ku paraqitet rrezik më i lartë.
Aktualisht është aktive një vatër zjarri në pyllin e Krastës, Bashkia Krujë.
REAGIMI I MM:
Duke vlerësuar situatën e shkaktuar nga zjarret në vendin tonë gjatë muajit korrik kemi pasur një rritje të ndjeshme në numër të zjarreve, kjo si pasojë e thatësirës së krijuar nga kushtet e motit e cila ka favorizuar marrjen e përmasave të zjarreve dhe zgjatjen e tyre në kohë. Të gjitha kapacitetet dhe strukturat e emergjencave civile kanë punuar për normalizimin e tyre dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme. Aktualisht është aktive një vatër zjarri në pyllin e Krastës, Bashkia Krujë e cila është vënë nën kontroll nga forcat operacionale të cilat po punojnë për shuarjen e tij. Sipas informacioneve të marra nga IGJEUM mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, temperaturat në vëndin tonë do të jenë relativisht të larta deri në 41°C. Kërkohet nga strukturat e mbrojtjes civile të vijojnë të jenë në gatishmërinë të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri. Ndërkohë iu bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në zonat ku paraqitet rrezik më i lartë, gjithashtu të gjithë ata që shkaktojnë situata të tilla nga pakujdesia apo të qëllimshme do të vihen përpara përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për menaxhimin e çdo situate emergjente që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta.