I kritikuar në Prishtinë, Kurti inkurajohet në Tiranë për ta bërë Asociacionin - Gazeta Express
string(77) "i-kritikuar-ne-prishtine-kurti-inkurajohet-ne-tirane-per-ta-bere-asociacionin"

I kritikuar në Prishtinë, Kurti inkurajohet në Tiranë për ta bërë Asociacionin

Lajme

Gazeta Express

26/03/2023 17:15

Mbështetjen për marrëveshjen e fundit me Serbinë, të cilën s’po e merr në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti e gjeti në një vizitë në Tiranë. Atje u inkurajua për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe e vetëmenaxhimin e këtij komuniteti, për të cilën të shtunën pati një protestë para Qeverisë së Kosovës.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

I gjendur përballë kritikave dhe pas një proteste te Qeveria të shtunën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi ta kalojë të dielën në Tiranë. Atje gjeti atmosferë krejt tjetër. Për dallim prej Prishtinës, në kryqytetin shqiptar Kurti gjeti mbështetje për marrëveshjen e arritur së fundmi në Ohër me presidentin serb Aleksnadar Vuçiq, shkruan Gazeta Express.

Me të mbërritur në Tiranë, Kurti u takua me presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

Sic njoftoi zyra e shtypit e kreut të shtetit shqiptar, Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, e përshëndeti “lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin europian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë”.

Më pas Kurti shtoi në Kuvendin e Shqipërisë, për ta takuar kryeparlamentaren shqiptare, Lindita Nikolla, nga e cila mori gjithashtu mbështetjen për marrëveshjen.

“Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”, u shpreh Nikolla pas takimit.

Pas dy takimeve, Kurti doli në një drekë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Nga ai, edhe më qartë dhe më specifikisht, mori mbështetjen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, duke i diskutuar të gjitha detajet.

Rama tha se e ka inkurajuar Kurtin në “hedhjen e hapave të mëtejshëmqoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”.

“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj”, shkroi Rama në Facebook.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shtoi kryeministri shqiptar.

Çfarë tha Zyra e Kurtit

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar për dy nga takimet e Kurtit në Tiranë, atë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Me Begajn, u tha se Kurti pati një diskutim për takimin me Vuçiqin në Ohër.

“Me këtë rast, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Begaj për marrëveshjen e arritur, elementet e saj, dhe për qasjen e konstruktive që Kosova ka ndjekur në këtë takim, por edhe gjatë gjithë procesit”, njoftoi ZKM-ja.

“Presidenti Begaj falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën, teksa dha vlerësimin e tij për arritjet e qeverisjes dhe mbështetjen për qëndrimin dhe lidershipin e treguar në arritjen e marrëveshjes mbi aneksin e zbatimit të Propozimit Evropian, tashmë Marrëveshje Bazë. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e tij dhe të Shqipërisë ndaj Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Edhe me Nikollën, u njoftua se Kurti pati një takim në të cilin e informoi për dakordimin e arritur së fundmi.

“Në këtë takim të përbashkët, kryeministri Kurti e informoi kryetaren Nikolla për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për dakordimin e arritur për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, të cilën znj. Nikolla e cilësoi si hap të mirë përpara për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrugëtimit evropian të Kosovës”, njoftoi ZKM-ja.

Për takimin me Ramën, Zyra e Kurtit nuk ka lëshuar ende ndonjë njoftim për media.

Kurti ka pasur në plan të takohet edhe me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën.

Ai nuk ka dashur të flasë para gazetarëve në Tiranë. Atyre iu ka thënë se këtë do ta bëjë pasi t’i përfundojë të gjitha takimet.