Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 4 mars 2026 ekstradimin e një shtetasi të Maqedonia e Veriut me inicialet B.L., nga Republika e Kosovës për në Maqedoninë e Veriut.
Personi në fjalë ishte arrestuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, pasi që kërkohej nga Interpol me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, për veprën penale “Vrasje”, si dhe dyshohej se i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe në funksion të gjurmimit, kapjes
dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në garantimin e sundimit të ligjit.