Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion për kapjen e shtetasve që i fshihen drejtësisë së huaj, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Në pranga ka rënë Olsi Kapllanaj.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me strukturat e Policisë italiane, të koordinuar nga rrjeti ndërkombëtar ENFAST, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale kapën në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, O. K., 20 vjeç, banues në Ballsh.
Gjykata në L’Aquila i ka caktuar këtij shtetasi, masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, vepër për të cilën Kodi Penal italian parashikon maksimum dënimi, 24 vjet burgim. Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e 20-vjeçarit, në Itali.