Një 54-vjeçar i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge është vënë në pranga në kryeqytet. Në kuadër të operacionit policor “The Wanted”, u vu në pranga Bledar Bedini, alias Bledar Imami, 54 vjeç.
Ai ishte i dënuar nga Gjykata e Milanos me 7 vite burg, për “Importim dhe mbajtje të substancave narkotike”, në kuadër të një organizate kriminale ndërkombëtare.
“Vijon operacioni policor i koduar “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në bulevardin “Bajram Curri”, një shtetas i dënuar në Milano, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i një pune të mirorganizuar operacionale, të kryer në koordinim me homologët italianë, pas shkëmbimit të informacioneve nëpërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me Interpol Romën, Seksioni i Kërkimit, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, kapi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Bledar Bedini alias Bledar Imami, 54 vjeç.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 54-vjeçarin, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Importimi dhe mbajtja e substancave narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”, njofton policia.