“I kam thënë jo Borisit, jo Rishit”, Rama kritikon Britaninë në The Guardian: Po kërkon ku të hedhë emigrantët - Gazeta Express
string(105) "i-kam-thene-jo-borisit-jo-rishit-rama-kritikon-britanine-ne-the-guardian-po-kerkon-ku-te-hedhe-emigrantet"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 10:54

“I kam thënë jo Borisit, jo Rishit”, Rama kritikon Britaninë në The Guardian: Po kërkon ku të hedhë emigrantët

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 10:54

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë të parë për mediat ndërkombëtare që kur fitoi mandatin e katërt, ka folur për The Guardian duke goditur ashpër planin e ri të Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta.

Rama ka thënë se ideja që Britania të kërkojë “vende për të hedhur emigrantët” do të ishte e paimagjinueshme një dekadë më pare, duke shtuar se që nga Brexiti, “Britania është në një pozitë shumë të errët”.

“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë thjesht nuk mund të imagjinohej… që Britania do të kërkonte vende për të hedhur emigrantët. Fakti që sot jo vetëm që është e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është sepse Keir Starmer apo Rishi Sunak po bëjnë diçka ekstreme – është sepse vendi ndodhet në një pozitë shumë të errët,” ka thënë Rama për The Guardian, transmeton Express.

Kujtojmë se, plani për “qendrat e kthimit” u prezantua muajin e kaluar nga lideri i Laburistëve, Keir Starmer, gjatë vizitës së tij në Shqipëri – vizita e parë ndonjëherë e një kryeministri britanik në tokën shqiptare, ku skema e prezantuar do të përfshinte qendra në vende të treta ku do të përpunoheshin aplikimet e azilkërkuesve të refuzuar, të cilët kanë shteruar rrugët ligjore në Britani. Megjithatë, që atëherë, kryeministri shqiptar deklaroi hapur se Shqipëria nuk do të bëhej pjesë e asaj skeme.

Duke e cilësuar Starmerin si një “person shumë të sjellshëm dhe të këndshëm”, Rama thesoi se nuk ishte refuzim personal ndaj tij, por rikujtoi se ideja ishte ngritur edhe nga liderë të tjerë britanikë në të kaluarën.

“Kam qenë i qartë për këtë që kur më pyeti Boris Johnson, dhe më pas Rishi [Sunak]… përgjigjja ka qenë gjithmonë jo,” tha Rama.

Megjithatë, kryeministri shqiptar ka bërë një dallim me marrëveshjen që Shqipëria ka firmosur me Italinë, ku pritet që emigrantët e kapur në det të dërgohen në një qendër pritjeje në Shqipëri për shqyrtimin e kërkesave për azil. Sipas Ramës, kjo është ndryshe për shkak të “marrëdhënies shumë të veçantë” mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe të vështirë që nga dita kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Europës. Praktikisht jemi një vend i ndarë në dy shtete të pavarura… kemi një dobësi për Italinë, prandaj kur Italia na kërkon diçka, përgjigjja është po, pikë.”

The Guardian, tutje shkruan se qëndrimi i prerë i Ramës ka të bëjë me një vetëbesim të ri të Shqipërisë, ndërsa vendi ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit Evropian.”