Arda Güler ka kaluar nga një “premtim i heshtur” në një emër me peshë në të tashmen e Real Madridit.
Pas një sezoni të karakterizuar nga mungesa e besimit nga Carlo Ancelotti, ardhja e Xabi Alonsos në stolin e “Los Blancos” ka sjellë një kthesë të madhe për talentin e ri turk.
Në tri ndeshjet e para të Kupës së Botës për Klube, trajneri i ri jo vetëm që i ka dhënë minuta, por ka bërë të qartë synimin e tij për ta bërë një pjesë thelbësore të projektit të tij futbollistik.
Ish-lojtari i Fenerbahçes, i cili mbërriti në kryeqytetin spanjoll me pritshmëri të mëdha, përjetoi muaj të vështirë ku rastet për të luajtur ishin të rralla dhe roli i tij në skuadër ishte minimal.
Rrethanat nën drejtimin e trajnerit italian e lanë në hije, larg vëmendjes dhe ritmit garues të ekipit.
Megjithatë, mjaftuan vetëm disa ndeshje nën drejtimin e Alonsos për të treguar se vizioni, prekja dhe lëvizshmëria e tij përshtaten në mënyrë të përkryer me stilin e ri që trajneri bask dëshiron të implementojë.
Güler ka reaguar me personalitet sa herë që ka hyrë në fushë, duke treguar se ka jo vetëm talentin, por edhe maturinë për të marrë përgjegjësi në një nga klubet më kërkuese në botë.
Aftësia për të lexuar lojën, pasimet e sakta dhe talenti për të thyer mbrojtjet kundërshtare mes linjave i kanë siguruar atij një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në grup.
Alonso, që vlerëson teknikën dhe kuptimin e lojës, sheh te lojtari i ri turk një mjet të çmuar për të zbatuar idetë e tij taktike.
Me një skuadër të mbushur me yje, Arda Güler e ka fituar të drejtën të jetë më shumë se një “premtim”.
Ndryshimi i trajnerit i ka kthyer atij vëmendjen dhe, mbi të gjitha, besimin e nevojshëm për të treguar gjithçka që mund të ofrojë.
E ardhmja e tij e afërt duket se është bardhë dhe e mbushur me minuta./GazetaExpress/