I dyshuari për pjesëmarrje në masakrën e Burgut të Dubravës, lirohet sot nga burgu i Republikës Sr Srpska - Gazeta Express
string(104) "i-dyshuari-per-pjesemarrje-ne-masakren-e-burgut-te-dubraves-lirohet-sot-nga-burgu-i-republikes-sr-srpska"

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 10:05

I dyshuari për pjesëmarrje në masakrën e Burgut të Dubravës, lirohet sot nga burgu i Republikës Sr Srpska

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 10:05

Sinisha Petriq Zenica, serbi që dyshohet se mori pjesë në masakrën e Dubravës dhe në vrasjen në lokalin Panda në Pejë, në vitin 1998, do të lirohet sot nga burgu i Foçës në Bosnje e Hercegovinë.

Kështu raporton mediumi investigativ Istraga.ba.

Sipas mediumit, ky vrasës me pagesë i cili u ekstradua nga Spanja në BeH vitin e kaluar, pritej që të mbahej në burg deri në vitin 2027.

Vendimi për lirimin e personit përgjegjës për disa vrasje me pagesë, sipas mediumit u mor nga Ministri i ri i Drejtësisë i Republikës Srpska, Goran Selak.

Ky ishte vendimi i parë i Selak pas marrjes së detyrës si Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e re, jokushtetuese të Republikës Srpska.

Më 11 shtator, Ministri Selak dërgoi një njoftim në Institucionin Korrektues të Foçës duke deklaruar se Petriq duhet të lirohet më 12 shtator.

Petriq u arrestua në vitin 2012 në Valencia, dhe në vitin 2014 u dënua me 15 vjet burg në atë vend për krim të organizuar dhe posedim armësh. Po atë vit, Ministria Spanjolle e Drejtësisë kërkoi që Ministria e Drejtësisë e BeH të njohë dhe zbatojë vendimin e dhënë ndaj tij. Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Qarkut në Banja Luka lëshoi ​​një vendim për të marrë përsipër ekzekutimin e vendimit, i cili i mundësoi Petriq të transferohej për të vuajtur dënimin e tij me burg në BeH. Petriq u arrestua në vitin 2012 së bashku me Luka Bojoviq, i cili në atë kohë u identifikua si udhëheqësi i grupit kriminal të Klanit Zemun, i cili mori pjesë në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjinxhiq në vitin 2003.

I njohur me nfokën “Zenica”ai dyshohet se ishte edhe pjesëmarrës dhe në masakrën e Dubravës.

Më 14 dhjetor të vitit 1998, në lokalin Panda në Pejë ku po qëndronin nxënësit e gjimnazit “Sveti Sava” ne Pejë, u futën dy persona të maskuar e të armatosur rëndë.

Pas kësaj, forcat serbe nisën një aksion ku arrestuan qindra kosovarë.

Por, kush është Sinisha Petriq, i njohur me nofkën “Zenica”. Si i mitur, Petriq u bë pjesëtar i grupit famëkeq “Marinko Magda” ku mori pjesë në vrasjen e 14 personave në Vojvodinë dhe Hungari.

Pas kësaj, ai u burgos disa herë për veprat më të rënda penale.

Por, dera e lirisë për të u hap me fillimin e luftës në Kosovë.

Petriq, që mori pjesë edhe në luftën e Bosnjës, iu dha mundësia që në këmbim të lirisë, të luftonte në Kosovë.

E këtu, Sinisha Petriq “Zenica” mori pjesë në njërën nga masakrat më të tmerrshme të luftës.

Në Burgun e Dubravës, forcat serbe ekzekutuan 95 shqiptarë.

E para tytës së armës së Petriqit në Dubravë, ishte Defrim Rifaj.

“Kur na kanë rreshtuar për pushkatim, Sinisha ka qenë i veshur me tesha ushtarake poshtë, në pjesën e lartë e ka pasur një maicë të zezë dhe me një kallashnikov në dorë nga ne….deklaroheshin vet gardianët që kemi urdhër nga ministri i drejtësisë dhe kjo ka qenë një skenar i Slobodan Millosheviqit”, thotë ai për Tëvë 1

Por, Rifaj që ra në duart e forcave serbe si pjesë e grupit të unionit studentor në Prizren, “Zenicën” e mban në mend që nga burgu i Nishit.

“Fillimisht e kemi njohur në burgun e Nishit, ka qenë i dënuar për disa vrasje, nuk e di a ka qenë i dënuar me vdekje apo të përjetshëm. Dhe këtë kategori me dënime të mëdha, i kanë marrë më njësitet paramilitare i kanë sjellë në Kosovë”, tregon Rifaj.

Sinisha Petriq, ishte vrasës me pagës edhe i klanit famëkeq të Zemunit.

E po ashtu, Petriq shërbeu edhe si krahu i djathtë i Luka Bojoviqit.

Sinisha Petriq, pasi u arrestua në Spanjë, për krim të organizuar, u ekstradua për në Bosnje dhe Hercegovinë.