Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë miratimin për të lejuar garanci “të fuqishme” sigurie si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, përfshirë një dispozitë që do të siguronte mbrojtje kolektive të Ukrainës nga SHBA-ja dhe Europa nëse Rusia do të përpiqej për një pushtim tjetër, tha për CNN i dërguari amerikan Steve Witkoff.
Witkoff tha se klauzola për të cilën është pajtuar Rusia është një zgjidhje rreth këmbënguljes së saj që Ukraina të mos mund të bëhej kurrë anëtare e NATO-s. Ai tha se rusët gjithashtu kishin premtuar “përfshirje legjislative” të një zotimi për të mos pushtuar Ukrainën apo ndonjë vend tjetër europian në çdo plan të ardhshëm paqeje.
Rusia ende nuk ka përmendur marrëveshje të tilla.
Por ato pasqyrojnë një propozim për garanci sigurie për Ukrainën, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, në thirrjen e Presidentit Donald Trump me liderët europianë gjatë fundjavës.
Një zyrtar europian i tha CNN se bisedimet me Trump përfshijnë garanci sigurie të tipit “Neni 5” për Ukrainën, me mbështetjen e Europës dhe SHBA-së, në rast të një marrëveshjeje paqeje. Zyrtari shtoi se nuk do të ketë përfshirje të NATO-s në këto garanci.
Çfarë është Neni 5 i NATO-s? Është pjesa e “mbrojtjes kolektive” e traktatit të aleancës, e cila përcakton se një sulm kundër njërit konsiderohet si sulm kundër të gjithëve dhe anëtarët do të ndërmarrin veprime të përbashkëta.
Trump më herët ka shpërfillur thirrjet e shpeshta të Kievit për garanci sigurie – një mënyrë për të siguruar që Rusia të mos e shkelë një marrëveshje armëpushimi ose ta rinovojë ofensivën e saj në Ukrainë pas disa vitesh.
Fuqi europiane gjithashtu kanë propozuar një “forcë sigurie” për Ukrainën, për të cilën ata kanë thënë se nuk mund të funksionojë pa një “garanci rezervë” nga SHBA-ja, por deri tani Trump ka qenë hezitues të angazhojë forca apo burime amerikane.