Mbrëmë u mbajt nata e tretë e Festivalit Poetik të Prishtinës, e cila iu kushtua fund e krye profesorit, artistit, poetit Bekim Lumi. Të ftuar për të diskutuar mbi punën e regjisorit, Lumi ishin mbledhur poetë, artistë, miq, studentë e gazetarë
Në pjesën e parë të natës poetike u mbajt video-poezi “Vdekja e Aktorit” interpretuar nga Afrim Muçaj. Mbrëmja vazhdoi me leximin e poezive autoriale të Bekim Lumit nga Meli Qena, Afrim Kasapolli dhe Shpëtim Selmani.
Mendim kritik e kujtime ndanë Arian Krasniqi, Besim Rexhaj dhe Elona Caslli. Poezia mbeti element kyç gjatë gjithë mbrëmjes përderisa ata që i kushtuan poezi artistit Bekim Lumi ishin Naime Beqiraj, Halil Matoshi dhe Hajriz Sejdiu.
Në mesin e materialeve, poezive, vidjove dhe kujtimeve që u shpalosen, mbrëmja u mbyll me dokumentarin e realizuar nga Shkodran Hoti me regji të Gezim Hasanit.
Rreth dokumentarit:
Për rreth gjysmë ore në pamjet e realizuara do të flasin miqtë e Bekim Lumit, ama ajo që i shton emocion dokumentarit janë pamjet e vetë regjisorit i cili është duke kënduar, duke mbajtur fjalim, duke qeshur e duke punuar në skenën e teatrit.
Idoli i Lumit do të mbetej për vite me radhë Jusuf Gervalla, jo në mënyrë të rastësishme bëhet kjo zgjedhje sepse për një artist të tillë, atdheu vjen ngjitur me kreativitetin artistik të individit e pastaj kur bëhen bashkë krijojnë një binom të fuqishëm me bazë të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë jo rastësishëm ky element bëhet i gjallë në dokumentarin e realizuar për regjisorin Lumi.
Pamjet e shfaqjeve, sidomos të asaj “Arturo Ui”, kujtimet e studentëve, të aktorëve që ne sot i njohim e në skenë i ngjiti pikërisht Bekim Lumi, kujtimet e miqve dhe njohësve të skenës teatrore e kompletojnë një video testament të rëndësishëm mbi një artist të rëndësishëm të artit në vendin tonë.
Bekim Lumi do të mungonte në premierën e ‘Arturo Ui’ për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe dita e provave finale një natë para premierës do të kujtohet si hera e fundit kur Lumi u ngjit në skenën e teatrit. Ani pse shfaqja do të mbahej gjatë në repertorin e Teatrit, edhe ‘Arturo Ui’ edhe shfaqjet tjera e madje edhe vetë teatri do të vuanin një mungesë të ethshme, një mungesë të një idealisti të veçantë të frymës së skenës e cila nuk do të kalonte pa u vërejtur vite më pas.
Dokumentari për Bekim Lumin, është një prodhim i veçantë dhe i domosdoshëm për trashëgimin kulturore e veçmas në rrafshin e skenës së teatrit, prodhim që i ndihmon artistët e rinj dhe e plotëson mozaikun e brezit të kaluar.
Regjisori Lumi ishte profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërkohë që në skenat e teatrove ka ngritur një numër shfaqjesh të suksesshme. Në qershor të viti 2018, regjisori Lumi, vuri në skenë shfaqjen e tij të fundit, “Arturo Ui”, të autorit Bertolt Brecht.
Bio e shkurtër e Bekim Lumit:
Bekim Lumi ka lindur me 17.12.1966 në Suharekë.
Gjatë viteve 1987 – 1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Kurse gjatë viteve 1992 – 1996 ka mbaruar studimet për Regji Teatri, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, me 2010 ka mbaruar edhe studimet e magjistraturës.
Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në radion “Evropa e Lirë”.
Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. Disa nga shfaqjet e tija kryesore janë: “Mesimi”, “Galani”, “Arushani & Fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dillerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”.
Me shfaqjet e tija, ai ka qenë pjesëmarrës në dhjetëra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera.
/GazetaExpress