I akuzuari për vrasjen në Marmullë të Gjakovës s’deklarohet rreth fajësisë, kërkon të mbrohet në heshtje - Gazeta Express
string(102) "i-akuzuari-per-vrasjen-ne-marmulle-te-gjakoves-sdeklarohet-rreth-fajesise-kerkon-te-mbrohet-ne-heshtje"

I akuzuari për vrasjen në Marmullë të Gjakovës s’deklarohet rreth fajësisë, kërkon të mbrohet në heshtje

Gazeta Express

11/12/2019 14:43

I akuzuari për vrasje, tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, Alfred Gjugja, ka deklaruar se nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë, në seancën fillestare që është mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Gjugja deklaroi se dëshiron të mbrohet në heshtje.

Lexo Edhe:

Ndërsa, i akuzuari për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes, Prek Gjugja, është deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Meqenëse, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Mentor Bajraktari, seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar të mbahet më 15 janar 2020, në ora 10:00

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 29 nëntor 2019, Alfred Gjugja akuzohet se më 12 mars 2019, rreth orës 18:35, në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës, pikërisht në afërsi të shtëpisë së Alfred Nikollës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Tunë Bezhi.

Siç thuhet në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje pronësore, pasi tani i ndjeri para një viti nga Martin Gjugja, vëllai i të pandehurit tjetër Prek Gjugja, kishte blerë një parcelë toke për çka nuk ishte pajtuar familja e të pandehurit, ditën kritike në shtëpinë e Anton Nikollës ishin mbledhur për të biseduar rreth kësaj çështje tani i ndjeri Tunë Bezhi, Zefë Kita, Lekë Bezhi dhe Prek Gjugja.

Sipas aktakuzës, pasi që nuk janë pajtuar, duke dalë jashtë i pandehuri Prek Gjugja i telefonon të pandehurit Alfred Gjugja të cilin e njofton se nuk kanë arritur marrëveshje, i cili më pas në dhomën e ditës merr pushkën automatike dhe pasi arrin në vendin e ngjarjes, fillimisht gjuan duke shkrepur 12 fishekë në drejtim të automjetit të tani të ndjerit, ku ai del nga automjeti për t’u larguar, i pandehuri gjuan në drejtim të viktimës shkrep një plumb, duke e goditur në abdomen në pjesën e poshtme të anës së majtë, me çka, të ndjerit i shkakton lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 të KPRK-së

I akuzuari Alfred Gjugja, sipas aktakuzës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Anton Nikolla, në atë mënyrë që pasi që shtënë në automjetin e të ndjerit Tunë Bezhi të përshkruar si më lartë, i dëmtuari Nikolla me qëllim që ta ndalë i del përpara të pandehurit, dhe në atë rast i njëjti me armë shkrep në drejtim të tij një plumb duke e goditur në këmbën e majtë, dhe pasi i dëmtuari rrëzohet në tokë e sulmon, duke e goditur në kokë me kondak të pushkës dhe më pas i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Rezinës, më pas, pas bisedës me Tunë Gojanin kthehet në shtëpinë e tij, ku i dorëzohet Policisë së bashku me armën, me të cilën e ka kryer veprën penale.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, nga neni 178-28 të KPRK-së.

I akuzuari Alfred Gjugja, sipas aktakuzës, po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për posedim të paautorizuar të një pushke automatike “typ 68” dhe 15 fishekë të kalibrit 7.62×35, të cilën e ka përdorur në ditën kritike.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Prek Gjugja, po ngarkohet me veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes”, nga neni 178, lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në ditën kritike të cekur si më lartë, me dashje ndihmon personin tjetër, përkatësisht të akuzuarin Alfred Gjugja, duke i krijuar kushte për kryerjen e veprës penale të vrasjes, në atë mënyrë që me qëllim që i ndjerit Tunë Bezhi të mos largohet nga vendi i ngjarjes, pasi që rruga ishte pa krye, automjetin e tij të markës “WV Sharan”, e parkon pas automjetit të markës “Sander” pronë e të ndjerit Bezhi, pastaj pasi që nuk merren vesh me të ndjerin, duke dalë nga oda e Alfred Nikollës, përmes telefonit e thërret të akuzuarin Alfred Gjugja, të cilin e njofton se nuk ka marrëveshje mes tyre, ku më pas i akuzuari merr pushkën automatike dhe arrin tek vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi