Në Gjykatën Themelore të Prishtinë, të mërkurën gjatë dhënies së mbrojtjes, i akuzuari për vrasjen në Gllamnik të Podujevës, Orges Zhugolli, tha se nuk kishte për qëllim ta privojë nga jeta viktimën.
I akuzuari Orges Zhugolli, ngarkohet se më 12 shtator 2023 në Gllamnik të Podujevës, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas të akuzuarit, rasti ndodhi pasi u detyrua të vetëmbrohet.
“Nuk kam pas qëllim ta dëmtoj ndonjërin prej tyre apo viktimën, përveç se jam detyruar të vetëmbrohem dhe ta largoj nga vetja”, tha ai.
Zhugolli tha se nuk njihej me viktimën dhe se rasti që ka ndodhur e rëndon më së shumti në jetë.
“Rasti që më ka rëndu më së shumti në jetë ka qenë rasti i të ndjerit tashmë, për shkak se s’u kanë qëllimi unë kurrë me privu ata nga jeta”, tha ai.
Fillimisht, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Zhugolli, avokatit Naim Rudari, është bërë leximi i deklaratës së dëshmitarit Omar Zhugolli, me arsyetimin se ai nuk ka mundësi të paraqitet në shqyrtim gjyqësor.
Në këtë seancë, u bë edhe administrimi i provave materiale, të cilat prokurori i rastit Arben Hoti ka prezantuar para trupit gjykues, duke përfshirë raportin e autopsisë, raportin analitik të video-incizimeve, foto-dokumentacionin që përfishinë fotografitë e vendit të ngjarjes, si dhe video-incizimet e vendit të ngjarjes të bartura në CD.
Nga pamjet e video-incizimit të lëshuara në seancë, prokurori Hoti i komentoi veprimet fajësuese të të akuzuarit, ndërkohë që edhe avokati Rudari paraqiti kundërshtimet e tij, duke kërkuar nga trupi gjykues që me gjithë vështirësinë e përcaktimit të veprimit të secilit nga video-incizimi, këto pamje të analizohen.
Po ashtu, avokati Rudari parashtroi edhe dy propozime, duke kërkuar nga trupi gjykues që të plotësohet raporti i autopsisë për viktimën si dhe lidhur me ekspertizën e gjendjes së shëndetit mendor për të akuzuarin Zhugolli, propozoi dëgjimin e së paku njërit ekspert që kanë përpiluar këtë ekspertizën.
Këto propozime u refuzuan nga trupi gjykues me arsyetimin se janë sqaruar mjaftueshëm.
Ndërkaq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.