Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, në një intervistë në EURO n’T7, ka folur edhe për ndryshimet që janë bërë në ATK që prej njëmbëdhjetë muajve që ai drejton këtë institucion.
Sipas tij, misioni i tij fillestar ka qenë që asnjë biznes të mos kontrollohet më me qasje subjektive dhe tashmë 100% e kontrolleve që bëhen bazohen në një analizë paraprake të riskut, në mënyrë që çfarëdo risku që inspektori ia ka vendosur një biznesi, të vlerësohet më tej nëse ai duhet të kontrollohet apo jo.
“Nuk ka mundësi që një inspektor, qysh ka qenë përpara, ku 10% të kontrolleve i ka rekomanduar vetë inspektori, tash ne u kemi thënë që nuk ju ndalojmë të na sillni të dhëna, sepse është ndihmesë për ATK-në si mjet informimi, mirëpo nuk ka mundësi të kontrollohet një biznes pa dalë analiza e riskut se ai biznes duhet të kontrollohet ose jo. Nëse në regjionin tonë, pra të inspektorit, janë nja dhjetë biznese me risk më të lartë, nuk ke nevojë me shku te ai biznes me risk më të ulët para se me i kontrollu ato tjerat”, ka thënë kreu i ATK-së.
Po ashtu, kreu i ATK-së ka komentuar edhe informatat e ndryshme që flasin se kontrollet ndaj bizneseve mund të bëhen edhe me porosi apo për shkak të ndonjë pakënaqësie personale që dikush brenda ATK-së mund ta ketë ndaj ndonjë biznesi.
“Në asnjë mënyrë kjo nuk mund të ndodhë. Analiza e riskut i ka rreth 72 faktorë që duhet të përmbushen para se të vendoset për një kontroll te bizneset. Paraprakisht aty klasifikohen bizneset me rrezikshmëri të lartë, të mesme apo të ulët dhe nuk mundet që punonjësi i ATK-së të shkojë te biznesi me rrezikshmëri të ulët pa shkuar te ai me rrezikshmëri të lartë dhe të mesme”, ka shtuar Hyseni.
Sipas tij, gjatë këtyre muajve sa ai është në krye të ATK-së janë realizuar 1.015 kontrolle, apo 35% më shumë se vitin paraprak, ndërsa dënimet e shqiptuara nga kjo administratë janë rreth 8%.