Huqja e opozitës - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

08/10/2021 15:15

Huqja e opozitës

OP/ED

Gazeta Express

08/10/2021 15:15

Ka arsye të tjera pse duhet kritikuar Albin Kurtin dhe qeverisjen e tij. Por, të kritikosh atë për marrëveshjet e arritura në Bruksel, siç po bëjnë PDK e LDK që i kanë nëshkruar vetë ato, është huqje e madhe. Është vetëvrasje politike me paramendim.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Zyrtarë të Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Denokratike të Kosovës nuk kanë kursyer ditët e fundit kritikat në adresë të kryeministrit Albin Kurti, për shkak të marrëveshjes së arritur në Bruksel për reciprocitetin e targave dhe tërheqjen e policisë speciale nga veriu. Njëri ka akuzuar se me këtë marrëveshje Kurti po e çon vendin drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i dyti se në këtë mënyrë i është mundësuar Serbisë të lëshojë targa për qytetarët serbë në Kosovë, pra të lëshojë dokumente zyrtare, i treti ka vlerësuar se kjo ishte marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë për Kosovën, e ndonjë tjetër se në Bruksel Kosova është marrë vesh me Serbinë “për çështjet tona”.

Nëpërmjet marrëveshjes për targat, qeveria kosovare legjitimoi marrëveshjen e vitit 2016, të arritur në kohën e bashkëqeverisjes PDK-LDK, por që nuk ishte zbatuar asnjëherë. Atëherë të dy shtetet ishin marë vesh që lëvizja e automjeteve të bëhej duke i mbuluar me letërngjitëse akronimet dhe stemat shtetërore. Brenda gjashtë muajsh grupet punuese të të dyja vendeve obligohen të gjejnë një zgjidhje të përhershme për targat respektive, që përfshin edhe zgjidhjen për targat ilegale me akronimet e qyteteve të Kosovës, të cilat lëshohen në Serbi.

Marrëveshja për targat është vetëm njëra ndër më shumë se tridhjetë të tilla, të arritura për një dekadë dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Shumica e këtyre marrëveshjeve janë arritur nga PDK e LDK, por që vetëm disa sosh janë zbatuar.

* * *

Të thëna nga dikush tjetër, kritikat do të ishin parimore dhe të drejta. Por, të kritikosh dikë për vendimet që vetë i ke marrë kur ke qenë në pushtet është hipokrizi. Kosova mund të jetë marrë vesh në Bruksel “për çështjet tona”, por nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Ta zëmë, PDK e LDK janë marrë vesh me Serbinë për rregullimin e brendshëm të vendit, duke nënshkruar Asociacionin problematik të komunave me shumicë serbe. Madje, me Serbinë në Bruksel është diskutuar edhe për lirimin e urës mbi lumin Ibër.

Që nga përfundimi i luftës, Serbia mirëmban dhe financon sisteme paralele, institucione paralele në Kosovë. Sistemi arsimor e ai shëndetësor janë tërësisht nën kontrollin e Beogradit. Dhe, pavarësisht deklarimeve për konsum të brendshëm dhe lojërave politike, e vërteta është se diplomat e universitetit paralel të Mitrovicës së Veriut janë legalizuar. Pra, janë legalizuar nga ata që tash po kritikojnë e akuzojnë se Serbia po lëshuaka dokumente zyrtare për qytetarët e Kosovës.

Marrëveshja për targat, e nënshkruar para pesë vjetësh, nuk është zbatuar asnjëherë. Pra, partitë që tash nuk reshtin së akuzuari e kanë pasur rastin që, gjatë kohës sa kanë qenë bashkë në koalicion, ta zbatojnë marrëveshjen, por nuk e kanë bërë. Qysh e pse – iu mbetet atyre ta sqarojnë. Siç iu mbetet të sqarojnë edhe për plot marrëveshje të tjera ose të paktën, të marrin përgjegjësi për nënshkrimin e tyre.

Po t’i dëgjojë dikush për herë të parë kritikat e zyrtarëve të PDK’së e LDK’së dhe po të mos e ketë idenë se cilat janë këto parti, mund t’iu krijohet përshtypja se ato nuk kanë qeverisur asnjëherë në këtë vend, se këto marrëveshje nuk janë nënshkruar nga ana e tyre, se nuk kanë deklaruar sa e sa herë se marrëveshjet ishin në dobi të Kosovës dhe se Serbia do ta njohë shpejt Kosovën e pavarur.

* * *

Qasja e tillë e dy partive më të mëdha opozitare karshi veprimeve e vendimeve të marra gjatë kohës kur kanë qeverisur është e dëmshme për vetë ato. Partitë e përgjegjshme marrin përgjegjësi për mënyrën si kanë qeverisur dhe punët që kanë bërë. Nëse PDK e LDK kanë nënshkruar themelimin e Asociacionit, atëherë logjika e thjeshtë thotë se këto parti duhet t’i bëjnë presion qeverisë së tashme që ta themelojë atë. Kjo për faktin e thjeshtë se vetë e kanë nënshkruar dhe kanë insistuar me vite, duke iu thënë qytetarëve se nuk është i dëmshëm.

Të thuash tash se me veprimet e veta qeveria aktuale po shkon drejt themelimit të Asociacionit, është papërgjegjësi politike. Drejt cilit Asociacion po çon qeveria me veprimet e veta? Drejt Asociacionit të nënshkruar nga vetë ata, apo? Qeveria e Albin Kurtit ka arsye të kritikohet për plot veprime të tjera dhe Kurti duhet mbajtur për fjale. Por, pjesa më e madhe e opozitës nuk ka kritika e akuza për to. Ata janë fokusuar të kritikojnë pjesën më të palavdishme të të kaluarës së tyre politike – dialogun me Serbinë. Kështu nuk e dëmtojnë Kurtin. Përkundrazi.