Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm, pasi Hungaria vendosi veto. Lajmin e konfirmoi menjëherë pas takimit shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Paketa synonte të dërgonte një “mesazh të fortë” ndaj Moskës përpara 24 shkurtit, që shënon katër vjet nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
“Fatkeqësisht, nuk arritëm një marrëveshje për paketën e 20-të të sanksioneve. Ky është një hap pas dhe një mesazh që nuk donim ta dërgonim sot, por puna vazhdon”, deklaroi Kallas.
Tensione për naftën ruse
Vetoja nxjerr në pah tensionet në rritje mes Kievit, Budapestit dhe Bratislavës për çështjen e naftës ruse.
Tubacioni Druzhba, një nga rrugët kryesore për transportin e naftës ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë, ka qenë jashtë funksionit që nga fundi i janarit, pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Hungaria dhe Sllovakia kanë akuzuar Ukrainën për vonesa në riparime, pretendim që Kievi e ka hedhur poshtë. Si kundërpërgjigje, Budapesti u zotua të bllokojë miratimin e sanksioneve të reja derisa të rikthehen furnizimet.
Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, deklaroi para samitit se Ukraina po sillet “në mënyrë armiqësore” ndaj Hungarisë, duke injoruar faktin se ndërprerja e tubacionit erdhi si pasojë e sulmeve ruse.
Nga ana tjetër, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, kërkoi nga operatori kombëtar i energjisë që të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën nëse nuk rifillojnë dërgesat e naftës përmes Druzhbës. Ai paralajmëroi se vendimi do të tërhiqet sapo të rikthehen furnizimet.
Çfarë parashikonte paketa e 20-të e sanksioneve?
Ndër masat kryesore ishte ndalimi i plotë i ofrimit të shërbimeve detare për Rusinë, në koordinim me partnerët e G7, duke përfshirë transportin, sigurimin dhe financimin e dërgesave të naftës ruse, pavarësisht çmimit.
Paketa synonte gjithashtu zgjerimin e kufizimeve ndaj “flotës hije” ruse, me sanksione ndaj 43 anijeve shtesë dhe ndalim të shërbimeve të mirëmbajtjes për cisterna që transportojnë LNG dhe anije akullthyese.
Në shënjestër ishte edhe sektori bankar rus, përfshirë 20 banka rajonale, kanale të lidhura me kriptomonedhat që përdoren për të shmangur sanksionet, si dhe banka të vendeve të treta që lehtësojnë tregtinë e paligjshme.
Të gjitha sanksionet e BE-së kërkojnë miratim unanim nga shtetet anëtare për të hyrë në fuqi. /Panorama