Në një takim të mbrëmshëm në Bruksel, liderët evropianë nuk arritën marrëveshje për paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi Hungaria dhe Sllovakia kundërshtuan masat e propozuara.
Nga raportimet e mediave ndërkombëtare, thuhet se kundërshtimi i dy vendeve ka qenë veçanërisht i lidhur me një propozim të veçantë të BE-së për shkëputjen graduale nga importet e energjisë ruse.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se Hungaria dhe Sllovakia janë “një skuadër e vetme”, duke theksuar: “Nuk mund të pranojmë propozimin e BE-së që të mos blejmë më naftë dhe gaz nga Rusia.”
E ndërkohë që Hungaria poashtu vazhdon të bllokojë hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE, lideri ukrainas Volodmyr Zelensky ka kërkuar një sinjal të fortë politik për këtë çështje.
Në një video mesazh të publikuar, disa orë pasi Orban deklaroi se ka “mandat për të ndalur anëtarësimin e Ukrainës”, Zelensky i kërkoi Evropës që të qëndrojë pas premtimeve të saj.
“Tani nevojitet një mesazh i qartë politik – se Ukraina është në rrugën evropiane dhe se Evropa qëndron pas premtimeve të saj,” ka thënë Zelensky.
Kujtojmë se, Hungaria po bllokon hapjen e negociatave të detajuara për anëtarësimin, konkretisht për “klasterin e parë të themeleve” – kapitujt mbi vlerat e BE-së që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, drejtësinë e pavarur dhe administratën publike të qëndrueshme. Orban, poashtu, gjatë arritjes në samit, pretendoi se janë 2.2 milionë hungarezë që kundërshtojnë anëtarësimin e Ukrainës.