Hungaria dhe Ukraina janë fjalosur publikisht për ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimeve me naftë, me Budapestin që fajësoi Kievin për një sulm ndaj “sovranitetit” të Hungarisë.
Ukraina reagoi duke e akuzuar Hungarinë për “degjenerim moral”.
Hungaria ka përjetuar ndërprerje të vazhdueshme të furnizimit me naftë përmes tubacionit Druzhba, pasi Kievi ka shënjestruar infrastrukturën energjetike, teksa po vazhdon lufta mes Rusisë dhe Ukrainës që nisi mbi tre vjet më parë.
Raportet midis Kievit dhe Budapestit janë përkeqësuar që atëherë. Udhëheqësi nacionalist i Hungarisë, VIktor Orban, mban raporte të mira me Kremlinin dhe bllokon përpjekjet e Kievit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se shteti i tij ia ka ndaluar hyrjen “komandantit të një njësiti ushtarak ukrainas që së fundi ka kryer sulme të rënda ndaj tubacionit të naftës, Druzhba”.
“Ky ishte një sulm ndaj sovranitetit të Hungarisë, duke rrezikuar sigurinë tonë energjetike”, shkroi Szijjarto në X.
Njoftimi vjen pasi Rusia kreu një sulm masiv në Ukrainë, duke lënë të vrarë të paktën 16 persona, përfshirë fëmijë.
Në përgjigje të postimit të Szijjartos, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se Hungaria “është në anën e gabuar të historisë”.
“Sa e turpshme ta postosh këtë pas sulmit brutal të kryer nga shteti terrorist, Rusia”, shkroi Sybiha në X.
“Peter, nëse tubacioni rus është më i rëndësishëm për ju sesa fëmijët ukrainas që u vranë nga Rusia mëngjesin e sotëm, ky është degjenerim moral”, shkroi ai, duke shtuar se Kievi do të kundërpërgjigjet.
Javën e kaluar, Orban tha se i është ankuar presidentit amerikan, Donald Trump, pasi operacionet ushtarake të Ukrainës kundër Rusisë kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimeve me naftë.
Hungaria dhe Sllovakia po ashtu i kanë kërkuar Komisionit Evropian “të veprojë kundër sulmeve të vazhdueshme të Ukrainës kundër naftësjellësit Druzhba”.
BE-ja vendosi një ndalesë për shumicën e importeve të naftës nga Rusia në vitin 2022, por tubacioni Druzhba u përjashtua përkohësisht nga sanksionet për t’u dhënë kohë vendeve të Evropës Qendrore, që nuk kanë dalje në det, që të gjejnë furnizime alternative të naftës.
Orban dhe homologu i tij sllovak, Robert Fico, kanë kritikuar vazhdimisht sanksionet duke i cilësuar ato si një kërcënim për sigurinë energjetike të shteteve të tyre. /REL/