Ato sjellin atmosferë festash në çdo shtëpi, por pema e Krishtlindjes mund të jetë edhe shkaktare e hundës së rrjedhshme, teshtimës, kollës dhe syve që kruhen, paralajmëron farmacisti Noel Wicks.
Ai thotë se shumë njerëz preken nga ajo që quhet “Sindroma e Pemës së Krishtlindjes” – një reagim alergjik i ngjashëm me alergjinë nga poleni.
Çfarë e shkakton sindromën?
Sipas ekspertit, problemet nisin nga:
poleni që pemët reale mbledhin jashtë para se të priten,
myku që qëndron në trungje dhe degë, duke u shumëzuar në ambiente të ngrohta,
pluhuri, i cili grumbullohet si në pemët natyrale ashtu edhe në ato artificiale.
Studime të mëparshme kanë zbuluar dhjetëra lloje myku në pemët e Krishtlindjes, të cilat mund të shkaktojnë sy të skuqur e të lotuar dhe vështirësi në frymëmarrje.
Aroma karakteristike e pemës vjen nga terpenet, përbërës në lëkurën dhe rrëshirën e saj – dhe disa njerëz janë alergjikë ndaj tyre. Edhe kimikatet bujqësore të përdorura në kultivimin e pemëve mund të shkaktojnë irritime.
Ndërkohë, marimangat e pluhurit – një prej alergjenëve më të zakonshëm – futen lehtësisht në shtëpi bashkë me pemët artificiale dhe dekorimet e ruajtura gjatë vitit. Këto mikro-organizma mund të rëndojnë simptomat e astmës, ekzemës, si edhe të shkaktojnë teshtima, hundë të rrjedhshme dhe sy të irrituar.
Si ta parandaloni Sindromën e Pemës së Krishtlindjes
Eksperti jep disa këshilla praktike për të shmangur alergjitë festive:
Vendosni maskë kur nxirrni dekorimet nga bodrumi apo podrumi, për të shmangur thithjen e pluhurit dhe mykut.
Shpëlani pemën natyrale me ujë para se ta fusni në shtëpi dhe lëreni të thahet plotësisht.
Tundeni mirë pemën jashtë, për të hequr polenin, pluhurin dhe mykun e lirshëm.
Pastroni pemët artificiale dhe dekorimet, për të larguar pluhurin e akumuluar.
Mos i mbani pemët natyrale shumë gjatë brenda, pasi myku rritet shpejt në ambiente të ngrohta.
Ruajini pemët artificiale dhe zbukurimet në kuti hermetike, për të minimizuar mbledhjen e pluhurit gjatë vitit.
Ekspertët thonë se ndjekja e këtyre hapave mund të ulë ndjeshëm rrezikun e alergjive dhe ta bëjë sezonin e festave më të këndshëm për të gjithë familjen. /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...