string(66) "humbi-nga-vushtrria-liria-e-shpall-gjyqtarin-shala-yll-te-ndeshjes"

Futboll

Gazeta Express

24/05/2025 21:23

Humbi nga Vushtrria, Liria e shpall gjyqtarin Shala “yll të ndeshjes”

Futboll

Gazeta Express

24/05/2025 21:23

Vushtrria arriti sot ta fitojë ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë, duke triumfuar 3:1 ndaj Lirisë në Klinë.

Por, pas ndeshjes, klubi prizrenas, Liria ka reaguar në faqen e saj në Facebook.

Aty, prizrenasit e shpallën yll të ndeshjes, gjyqtarin e përballjes, Alban Shalën.

FC Liria pretendon se u dëmtua nga gjyqtari Shala në ndeshjen e sotme.

Reagimi i plotë i klubit, pa ndërhyrje:

Patëm një ndeshje të rëndësishme sot – por ajo nuk u vendos në fushë, siç duhet të ndodhë në një garë sportive. U dëmtuam rëndë nga një referim i paprecedent dhe thellësisht skandaloz, i cili i mohoi ekipit tonë një ndeshje të drejtë dhe të barabartë.

Alban Shala mori rolin kryesor, jo si garant i rregullave të lojës, por si faktor përcaktues që me vendime të padrejta dhe të pakuptimta, e deformoi tërësisht rrjedhën e ndeshjes. Kjo nuk është më çështje e një gabimi njerëzor – është një goditje e rëndë ndaj vetë parimeve të sportit dhe garës së ndershme.

Ky episod është një plagë për futbollin. Lojtarët japin gjithçka në fushë, stafi punon pa ndalesë për përgatitjen e skuadrës, dhe tifozët qëndrojnë besnikë në çdo situatë. Por, kur puna dhe përkushtimi i të gjithëve zbehet nga arbitra që nuk përfaqësojnë drejtësinë, atëherë kemi një problem serioz që nuk mund të kalojë pa reagim.

Nuk mund të heshtim më. Nuk mund të tolerojmë më. Kjo situatë kërkon përgjegjësi dhe reflektim.

Ylli i ndeshjes? Fatkeqësisht, Alban Shala. Jo për një asist apo gol, por për ndikimin vendimtar dhe të dëmshëm që pati në rezultatin dhe imazhin e kësaj ndeshjeje.