Hulumtuesi i IKD-së, Florian Smajli, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për, siç tha ai, miratimin e ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa konsultime publike
Sipas tij, për vite me radhë janë injoruar rekomandimet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë në procesin e politikëbërjes.
“Në vazhdimësi kemi tërhequr vërejtjen se Qeveria, përgjatë këtyre viteve, ka miratuar ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa konsultime të mjaftueshme publike. Si asnjëherë më parë, qeveria dhe ministritë e linjës kanë injoruar rekomandimet dhe sugjerimet e shoqërisë civile, si dhe ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë në politikëbërje”, ka deklaruar Smajli.
Ai ka theksuar se pasojat e këtij veprimi tashmë po shihen edhe në vendimet e institucioneve të drejtësisë.
“Një qasje e tillë ka ndikuar që shumë ligje dhe politika të konstatohen nga instancat gjyqësore dhe Gjykata Kushtetuese si kundërkushtetuese apo joligjore”, ka shtuar ai.
Smajli ka përmendur edhe vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, e cila shfuqizoi një udhëzim administrativ për fiskalizim, duke e cilësuar të paligjshëm për shkak të pozitës së papajtueshme të ministrit që e kishte nënshkruar atë.
“Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ është i paligjshëm, sepse Ministri i Financave nuk ka pasur mandat të vlefshëm në atë kohë. Ai ka qenë i certifikuar si deputet, në shkelje të Kushtetutës, e cila ndalon ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative”, ka thënë Smajli.
Në fund, ai ka theksuar se këto raste dëshmojnë një mungesë të qartë të respektimit të ligjit nga Qeveria.
“Ndonëse arsyetimet për rrëzimin e ligjeve janë të ndryshme, të gjitha tregojnë mospërfillje të procedurave ligjore dhe mungesë vullneti apo interesi që ato akte të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, ka përfunduar ai për GazetaBlic.