Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se propozimi i Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe, është antikushtetues dhe se Kuvendi nuk është konsituuar ende.
“Ne tani e kemi Listën Serbe e cila ka fituar shumicën e votave të deputetëve serbë dhe në kuptimin e legjitimitetit është subjekti parlamentar që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Bugaqku në “Tempus“.
Sipas tij, deputeti Rashiq nuk mund të vetë-nominohet për nënkryetar të Kuvendit, meqenëse nuk përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti.
“Zoti Rashiq as nuk mund të vetë-nominohet, pra s’ka të drejtë të nominohet si kryetar ose nënkryetar i Kuvendit. Por, mendoj që ai nuk vie nga Grupi Parlamentar i Listës Serbe dhe rrjedhimisht propozimi i tij, në mënyrë të domosdoshme është antikushtetues, sepse nuk përfaqëson shumicën e deputetëve, ose shumicën e përfaqësuesve që kanë votuar në zgjedhjet e datës 9 shkurt”, tha ai.
Bugaqku tha se kjo amulli e interpretimit po bëhet për qëllime politike.
“Unë mendoj se krejt kjo amulli e interpretimit dhe shtrembërim i interpretimit të normave kushtetuese, besoj që po bëhet për qëllime politike. Është gjetur një model ose një hapësirë për të ataku Listën Serbe në kuptimin e propagandës, popullizmit dhe sjelljes politike, e mbase edhe të njëfarë loje që po përgatitet vendi për me shku në zgjedhje të përgjithshme dhe në atë mënyrë të ruhet ky bilanci i votave që i kanë fituar në zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.
Hulumtuesi theksoi se Kuvendi nuk është konstituuar ende.
“Kushtimisht unë mendoj se Kuvendi ende nuk është konstituu. Pa i zgjedh tërë nënkryetarët e kryesisë së Kuvendit, sepse së paku në tri aktgjykime përcaktohen grada kushtetuese që konsiderohet se është konstituuar Kuvendi në momentin kur zgjedhet kryetari dhe të gjithë nënkryetarët”, përfundoi Bugaqku.