Gjetja kryesore dhe më e rëndësishme e hulumtimit të ri të Mendimit të Ri Politik Serb (NSPM) nga korriku, i kryer mbi një mostër përfaqësuese të qytetarëve të rritur të Serbisë, është se definitivisht ka më shumë njerëz që janë kundër Aleksandar Vuçiqit sesa ata që e mbështesin atë. Kështu thuhet në hulumtimin e publikuar nga revista Vreme në numrin e saj të ri.
Hulumtimi është realizuar nga 2 deri më 12 korrik në Serbi, përmes telefonit, mbi një mostër përfaqësuese prej 1.100 qytetarësh.
Thuhet se ky përfundim ishte ofruar edhe në hulumtimin e muajit mars dhe u konfirmua edhe në maj.
Në mostrat e përgjithshme, mbështetja për pushtetin është rreth 32-33 për qind, ndërsa ata që deklarohen si kundërshtarë të tij janë rreth dhjetë për qind më shumë (42-43 për qind), me rreth 25 për qind që nuk shprehen.
Më saktë, nëse ndarja do të bëhej në dy kolona – pushteti dhe opozita e bashkuar, 42,10 për qind do të votonin për një listë të përbashkët të opozitës, studentëve dhe lëvizjeve qytetare.
“Por, theksohet se edhe pse teorikisht një diferencë prej rreth dhjetë për qind duket e vështirë për t’u kompensuar, kjo e treta që mbështet Vuçiqin dalin në zgjedhje pothuajse me siguri dhe pa shumë dilema, ndërsa këto mbi 40 për qind të opozitës lehtësisht mund të humbasin motivimin, të përçahen apo të zhgënjehen”, thuhet në paraqitjen e hulumtimit.