Emisioni EURO n’T7 ka prezantuar të dhënat, matje të opinionit publik, të cilat janë bërë ekskluzivisht për nevoja të emisionit nga UBO CONSULTING për dy çështje shumë me rëndësi për kushtet e jetesës së qytetarëve dhe se cilat janë arsyet kryesore që po i shtyjnë qytetarët të largohen nga Kosova.
Në bazë të matjeve të prezantuara në emision, del se 60% e qytetarëve që largohen nga Kosova, po e bëjnë këtë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punës.
Pastaj, 50% e tyre po largohen nga vendi për një jetë më të mirë dhe më të sigurt për fëmijët, 38% për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe papunësisë së lartë.
Hulumtimi gjithashtu ka nxjerrë në pah se 35% e qytetarëve vendosin ta lëshojnë vendin edhe për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe të ardhmes së pasigurt.
Arsyet tjera që qytetarët kanë përmendur si shtytje për t’u larguar nga vendi janë edhe mungesa e perspektivës për zhvillim personal dhe profesional me 33%, pastaj cilësia jo e mirë e arsimit dhe shëndetësisë publike me 32%.
Në anën tjetër, derisa qytetarët flasin e shkruajnë shumë për pretendimet për korrupsion qeveritar, tek matja e opinionit publik del se korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit janë ndër arsyet e parafundit pse vendosin të largohen nga vendi, me vetëm 30%.
E arsyeja e fundit që qytetarët vendosin ta lëshojnë vendin, sipas matjes së fundit të opinionit publik, me 21% del të jetë ndikimi i familjarëve që jetojnë jashtë vendit.
Kjo matje dhe këto të dhëna janë nxjerrë nga omnibusi i realizuar nga UBO CONSULTING nga data 9 deri më 18 qershor, me 1065 të anketuar në gjithë vendin.