Hulumtimi i EURO n’T7: 79% e qytetarëve thonë se ngritja e çmimeve ka ndikuar në masë të madhe në stilin e jetesës - Gazeta Express
string(111) "hulumtimi-i-euro-nt7-79-e-qytetareve-thone-se-ngritja-e-cmimeve-ka-ndikuar-ne-mase-te-madhe-ne-stilin-e-jeteses"

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 11:46

Hulumtimi i EURO n’T7: 79% e qytetarëve thonë se ngritja e çmimeve ka ndikuar në masë të madhe në stilin e jetesës

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 11:46

Emisioni EURO n’T7 ka prezantuar të dhënat, matje të opinionit publik, të cilat janë bërë ekskluzivisht për nevoja të emisionit nga UBO CONSULTING për dy çështje shumë me rëndësi për kushtet e jetesës së qytetarëve.

Pyetja e parë e realizuar për omnibus ka qenë se sa ka ndikuar në cilësinë e jetesës ngritja e çmimeve, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e çmimit të rrymës së fundmi.

Hulumtimi i EURO n’T7 ka nxjerrë të dhëna shumë shqetësuese për kushtet e jetesës së qytetarëve tanë, ku 79% e të anketuarve janë përgjigjur se ngritja e çmimeve ka ndikuar në masë të madhe në cilësinë e jetesës së tyre, 16% thonë se ka ndikuar pak dhe vetëm 4% thonë se nuk ka ndikuar aspak, derisa 1% kanë refuzuar të përgjigjen.

Duke komentuar këto të dhëna, profesori Shkumbin Misini ka thënë se këto shifra të dala nga hulumtimi tregojnë se kosovarët nuk po ia dalin t’i përballojnë rritjet e çmimeve dhe kjo padyshim ka ndikuar në stilin e tyre të jetesës.

“Këto shifra të publikuara na argumentojnë se sot problemi kryesor i qytetarëve është rritja e kostos së jetesës apo inflacioni. Kjo për arsye se të ardhurat personale kanë qenë konstante, pra nuk janë rritur, derisa çmimet janë rritur në vazhdimësi”, ka thënë Misini.

Në anën tjetër, profesori universitar ka thënë se tek ata 4% që kanë deklaruar se nuk janë prekur nga ngritja e çmimeve, bëjnë pjesë ndoshta vetëm zyrtarë shtetërorë.

“Tek ky 4% që kanë deklaruar se nuk janë prekur nga ngritja e çmimeve janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse janë këta deputetë që nuk kanë marrë pjesë as në protesta për rritjen e çmimeve të rrymës, asnjëherë nuk kanë arritur të diskutojnë këtë çështje, e as nuk kanë dhënë ndonjë alternativë se si të dilet nga kjo situatë shumë e rëndë. Për mua, fajtor i kësaj gjendjeje të qytetarëve nuk është vetëm lideri aktual ose kryeministri në detyrë, por të gjitha partitë politike që nuk kanë dhënë alternativa”, ka shtuar Misini.

Tek 16% e qytetarëve që në hulumtim kanë deklaruar se janë prekur në një masë të vogël nga ngritja e çmimeve, sipas Misinit, mund të jenë bizneset, të cilat për shkak të të ardhurave të tyre kanë një stil më të mirë të jetesës.