HRW: BE-ja dhe Turqia të mos i dëbojnë disidentët taxhikë - Gazeta Express
string(56) "hrw-be-ja-dhe-turqia-te-mos-i-debojne-disidentet-taxhike"

HRW: BE-ja dhe Turqia të mos i dëbojnë disidentët taxhikë

Lajme

Gazeta Express

16/04/2024 13:43

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), u bëri thirrje disa shteteve të Bashkimit Evropian dhe Turqisë që të përmbahen nga dëbimi për në Taxhikistan të disidentëve taxhikë që strehohen në këto shtete.

Muajt e fundit, disa individë të lidhur me lëvizjen opozitare taxhike, Grupi 24, të cilët po strehoheshin në Lituani dhe Poloni – shtete të BE-së – dhe në Turqi, u zhdukën ose u kërcënuan se do të ekstradoheshin në Taxhikistan.

Lexo Edhe:

Më 8 prill, aktivisti opozitar, njëherësh ish-anëtari i Grupit 24, Sulaimon Davlatov, u dërgua në paraburgim për dy muaj nga një gjykatë në Lituani, nën akuza se ka shkelur sigurinë kombëtare të këtij shteti baltik.

Davlatov, 40 vjeç, që ka jetuar në Lituani për nëntë vjet, po ashtu njihet si kritik i autoriteteve taxhike. Më 2015, ish-anëtari i Grupit 24 dhe i lëvizjes opozitare, Forcat Konstruktive të Kongresit, u arrestua në Finlandë me kërkesë të Taxhikistanit, por më pas u lirua.

Komron Khudoydodov, vëllai i ish-aktivistit të Grupit 24, Shabnam Khudoydodova, u urdhërua nga një gjykatë në Varshavë që të largohet nga Polonia, ku ai jetonte që nga viti 2018 në bazë të një vize humanitare, pasi paraprakisht i ishte refuzuar kërkesa për azil. Motra e tij u akuzua për ekstremizëm dhe Taxhikistani më 2015 e vendosi emrin e saj në listën e të kërkuarve nga INTERPOL-i.

Nasimjon Sharifov dhe Suhrob Zafar, dy anëtarë të lartë të Grupit 24, u zhdukën gjatë këtij viti në Turqi. Zafar po jetonte në Turqi që nga viti 2014 dhe gjatë kësaj periudhe ishte kërcënuar disa herë se do të rrëmbehej dhe do të dërgohej në Taxhikistan. Sharifov dhe Zafar më 2018 ishin arrestuar nga autoritetet turke me kërkesën e Dushanbesë, por më pas u liruan.

Në mars të vitit 2015, themeluesi i Grupit 24, biznesmeni Umarali Quvatov, u vra në Stamboll. Grupi, i cili promovon reforma demokratike në Taxhikistan, është ndaluar nga Qeveria taxhike dhe më 2014 është shpallur organizatë terroriste.

“Taxhikistani duhet t’i japë fund përndjekjes dekadëshe të kritikëve që gjenden jashtë vendit, veçmas të atyre që janë të lidhur me Grupin 24 dhe grupet e tjera të ndaluara”, tha Syinat Sultanalieva nga HRW.

“BE-ja dhe Turqia duhet të mbrojnë aktivistët opozitarë dhe të përmbahen nga kthimi i tyre në Taxhikistan, një shtet që njihet se përfshihet në shtypjen transnacionale dhe vend ku ata rrezikojnë të torturohen”.

HRW tha se dy shtetet anëtare të BE-së dhe Turqia duhet të “dënojnë rastet e shtypjes transnacionale dhe të shqyrtojnë çdo marrëveshje bashkëpunimi me shtetet që përfshihen në shënjestrimin e kritikëve që gjenden jashtë vendit”.

 /REL