Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, deputeti Enver Hoxhaj, ka reaguar pas lajmit tragjik për humbjen e jetës së tre qytetarëve kosovarë në Austri.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj e ka cilësuar ngjarjen si një dhimbje të rëndë që prek gjithë vendin, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
“Kosova u trondit dje nga lajmet për aksidentin e tmerrshëm në Austri që ua mori jetën 3 kosovarëve, në vendin e tyre të punës. Një dhimbje e rëndë që na prek të gjithëve. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet Bajrami, Musliu dhe Zekaj. Ju uroj forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe. Kujtimi i tyre do të jetojë gjithmonë tek më të dashurit e tyre”, ka shkruar Hoxhaj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku si pasojë e shembjes së një pjese të objektit kanë humbur jetën disa persona, përfshirë edhe tre shtetas të Kosovës. Autoritetet austriake janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.