Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit është i paprecedent.
Në “Konfront” të KTV-së, Hoxhaj situatën në Kosovë e ka krahasuar me Kuvajtin, duke deklaruar se atje sheiku e shpërndante çdo ditë Kuvendin pa i pyetur deputetët. Sipas tij, Kosova është vend demokratik dhe institucionet janë përtej situatave individuale.
“Vetëm në Kuvajt më ka ndodhë sa kam qenë ministër i jashtëm, ka qenë sheiku i cili e shpërbënte Kuvendin çdo ditë pa i pyetur deputetët në kohë të krizave politike. Ne jemi Republikë parlamentare, jemi vend demokratik dhe për mua demokracia dhe institucionet janë përtej asaj se a është i lënduar dikush me një situatë të caktuar politike dhe nga mllefi i brendshëm e shpërben Kuvendin dhe tash ne kthehemi të enjten përsëri në Kuvend, besoj që është e paprecedent”, ka thënë ai.
Më 6 mars presidentja Osmani ka shpërndarë Kuvendin me dekret dhe pati filluar edhe procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Pas këtij dekreti dhe pas ankesës së Vetëvendosjes në Kushtetuese deri më 25 mars Kushtetuesja pati bllokuar çdo veprim të presidentes në lidhje me dekretin dhe gjithashtu çdo veprim të Kuvendit deri më 31 mars. Më 25 mars Gjykata Kushtetuese ka dhënë 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit.