Hovenier takohet me Listën Serbe, ata thonë se s'marrin pjesë në zgjedhje derisa të bëhet Asociacioni - Gazeta Express
string(99) "hovenier-takohet-me-listen-serbe-ata-thone-se-smarrin-pjese-ne-zgjedhje-derisa-te-behet-asociacioni"

Hovenier takohet me Listën Serbe, ata thonë se s’marrin pjesë në zgjedhje derisa të bëhet Asociacioni

Lajme

Gazeta Express

20/03/2023 15:23

Lista Serbe i ka thënë ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme në komunat ky kryetarët nga kjo parti dhanë dorëheqje.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarët e kësaj partie, Dalibor Jevtiq dhe Igor Simiru takuan me ambasadorin Hovenier dhe mëpas njoftuan se s’do të marrin pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Kryesorja, ësjtë ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, qëndruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.

23 prilli është data e caktuar për t’u mbajtur zgjedhjet në Veri, por Lista Serbe ende nuk ka aplikuar për certifikim, teksa afati është i hapur deri pasnesër.

Mospjesëmarrja e Listës Serbe rrezikon ta bëjë të dështuar këtë proces.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Express se nga 9 marsi deri më sot nuk kanë pranuar aplikime të reja.

Zgjedhjet në veri të vendit nuk ishin pjesë e diskutimeve në takimin e së shtunës në Ohër. Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori përsipër obligimin që t’i nisë menjëherë diskutimet për t’ua krijuar serbëve një nivel menaxhimi në komunat ku janë shumicë.