Hovenier: Njohja e Kosovës nga Serbia është një ndër kushtet për anëtarësim në BE - Gazeta Express
string(80) "hovenier-njohja-e-kosoves-nga-serbia-eshte-nje-nder-kushtet-per-anetaresim-ne-be"

Hovenier: Njohja e Kosovës nga Serbia është një ndër kushtet për anëtarësim në BE

Lajme

Gazeta Express

01/03/2023 23:07

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është pyetur se kur Kosovën do ta njohë edhe shteti serb, ai nuk është përgjigjur konkretisht, por ka thënë se nëse Serbia dëshiron anëtarësimin në BE, një ndër kushtet e saj është njohja e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se një ndër kushtet që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), është njohja e Republikës së Kosovës.

Lexo Edhe:

Por, i pyetur se kur do ta njohë shteti serb Kosovën, ai ka thënë se është një pyetje shumë e vështirë, duke shtuar se nuk është i sigurt nëse e di përgjigjen.

“Kjo është pyetje shumë e vështirë dhe nuk jam i sigurt që e di përgjigjen. Vetëm mund të theksoj sërish se pritjet e Shteteve të Bashkuara janë që në afat të gjatë kjo do të duhej të ndodhë. Që në afat të gjatë, ky proces do të jetë me njohje eventuale të ndërsjellë. Unë i besoj Serbisë kur thotë se dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Unë i besoj Bashkimit Evropian kur thotë se dëshirojnë që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por që një ndër kushtet do të jetë njohja e Kosovës dhe mendoj se ne shpresojmë në atë proces dhe fuqishëm inkurajojmë që ai proces do ta mundësojë këtë”, ka deklaruar Hovenier, ne Dukagjini.

Po ashtu, ai gjatë intervistës ka renditur përfitimet që ka Kosova nga marrëveshja me Serbinë në bazë të planit evropian.

Sipas tij, në planin evropian ka një sërë kriteresh që Shtetet e Bashkuara mendojnë se janë shumë në interes të Kosovës, dhe se kjo paraqet ujdinë më të mirë që është e mundur në këtë moment, për ta çuar përpara çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më tej, duke përmendur përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje, ai ka thënë se është e rëndësishme që shteti kosovar t’i ketë këto zotime, pasi, sipas tij, nuk do të ketë më mosmarrëveshje për targat e veturave, pasaporta apo letërnjoftime.

Ambasadori Hovenier, gjithashtu, ka thënë se ShBA do të jetë tejet mbështetëse për zbatimin e marrëveshjes të propozuar nga BE, teksa ka shtuar se kjo marrëveshje nuk është e fundit, por është e përkohshme.