Hoti: Jemi në rrezik nga vala e dytë e koronavirusit, na ndihmoni që të mos e mbyllim komplet ekonominë - Gazeta Express
string(101) "hoti-jemi-ne-rrezik-nga-vala-e-dyte-e-koronavirusit-na-ndihmoni-qe-te-mos-e-mbyllim-komplet-ekonomine"

Hoti: Jemi në rrezik nga vala e dytë e koronavirusit, na ndihmoni që të mos e mbyllim komplet ekonominë

Gazeta Express

29/06/2020 14:27

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Kosova rrezikohet nga vala e dytë e koronavirusit, derisa ka treguar edhe masat që do të ndërmarrin për ta mbajtur situatën nën kontroll, raporton Express.

Në një konferencë për media, Hoti ka thënë se do të rritet numri i infermierëve nëpër klinika dhe se do t’i fuqizojnë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare.

Lexo Edhe:

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rekomandimet, apo në të kundërtën do të detyrohen që ta mbyllin ekonominë sikur herën e parë.

“Mesazhi që unë dëshiroj ta jap sot drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët është që jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që të mos e mbyllim komplet ekonominë sikur që ka ndodhë para tre muajve”, ka thënë Hoti.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.

Numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.

Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46% e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me Covid-19./Gazeta Express