“Për pjesën e punës, të karrierës, të ambicieve që unë kam, më kanë dalë të gjitha”
Në rrjetet sociale po shpërthen një trend i ri, ku njerëzit po përdorin shenjën e horoskopit si justifikim për gjithçka që nuk ju ecën në jetë, për çdo zemër të thyer dhe çdo mesazh që nuk vjen kurrë.
Një raport i fundit nga një aplikacion takimesh zbulon se 43 për qind e përdoruesve shmangin të dalin me dikë bazuar vetëm në shenjën astrologjike.
E pikërisht për horoskopin u fol ditën e djeshme në emisionin “Ftesë në 5”, në Top Channel, ku u ngritën pyetjet:
“Pse gjithmonë e më tepër po përdoret horoskopi si shpjegues i asaj çka na ndodh në jetë? Sa rëndësi ka shenja e horoskopit në një lidhje dhe jetën reale? A janë sot njerëzit dhe sidomos të rinjtë më supersticiozë se kurrë?”.
Në panel ishte e ftuar akrobatja e njohur, Fiona Rushiti, e cila tregoi një histori të saj personale që e lidhi me horoskopin.
Fillimisht ajo u shpreh se ‘më shumë beson në Zot se sa në horoskop’ dhe shtoi se ‘horoskopin e shoh si reflektim’.
“Ose kur nuk kam çfarë të bëj them hajt se po shoh horoskopin. Por me thënë të drejtën disa gjëra më kanë dalë dhe disa të tjera nuk më kanë dalë. Për shembull si Bricjap unë jam shenjë Toke, po unë nuk rri në tokë por në ajër”, tha akrobatja e njohur.
Fiona vijoi duke thënë se e ndjek horoskopin dhe ‘herë i pëlqen dhe herë nuk i pëlqen’. Ajo tregoi edhe një moment kur horoskopi i ka thënë që do ketë probleme me shëndetin dhe ajo ka thyer këmbën.
“Për pjesën e punës, të karrierës, të ambicieve që unë kam, më kanë dalë të gjitha. Madje do të tregoj diçka që tani më tha horoskopi që do kisha një problem shëndetësor dhe unë theva gishtin e madh të këmbës. Dy muaj unë isha e dëmtuar. Ma tha horoskopi por unë nuk u kujdesa fare. Nuk e di nëse e kanë parashikuar yjet apo jo, por që thanë që do kisha një problem shëndetësor dhe unë theva këmbën”, zbulon Rushiti.