Homo Sovieticus ose partitë me mentalitet totalitar - Gazeta Express
string(51) "homo-sovieticus-ose-partite-me-mentalitet-totalitar"

Homo Sovieticus ose partitë me mentalitet totalitar

Gazeta Express

25/05/2020 19:14

Fitim Salihu

Së fundmi po e lexoja librin “E ardhmja është histori” të gazetares dhe shkrimtares ruso-amerikane, Masha Gesenit, një zëri kritik të qeverisjes së Putinit, por dhe të qeverisjes së Trampit. Ky libër shqyrton tiparet e një shoqërie totalitariste dhe rrezikun e rikthimit të totalitarizmit mu atëherë kur një shoqëri e sheh të pamundshme një gjë të atillë – në vitet e lulëzimit të liberalizmit. Me këtë libër, Masha Geseni fitoi në vitin 2017 çmimin prestigjioz amerikan “National Book Award”, ndërkohë që prore shkruan kolumne për revistën “The New Yorker”.

Lexo Edhe:

Duke qenë se Kosova është tokë e pëlleshme për mbirje ideologjish e praktikash totalitare – frustracioni social, shkalla e papunësisë, izolimi i të rinjve, nihilizmi politik – dhe duke parë tendencat e disa partive për të vënë në jetë praktikat totalitare, pos që u intrigova nga vetë libri, njëherazi u josha që ta sillja fabulën e tij për lexuesit kosovarë.

Së pari, për shumëkë tek ne duket absurde ideja që në mes të një demokracie liberale të ngriten liderë totalitarë, posaçërisht kur në të kaluarën e kemi provuar dëmin e tyre. Por, ky libër dëshmon se Rusia – përkundër se në presidencën e Jelcinit kishte jetuar një pahitje liberalizmi – sërish pas vitit 2000 iu kthye totalitarizmit. Mbase mu për këtë shkak, vetë libri që në titull pohon se e ardhmja është histori. Në qoftë se nuk e parandalon, të pret ajo që ke menduar se e ke lënë mbrapa dhe s’rikthehet dot më. Përpara e ke të kaluarën. E shkuara bëhet e ardhme.

Së dyti, ndonëse ky libër nuk i shqyrton, ekzistojnë një sërë shembujsh të tjerë nga historia e botës se si liderët autoritarë ngriten pikërisht në demokraci liberale dhe përmes votës. Hitleri erdhi në pushtet përmes votës duke shfrytëzuar pakënaqësinë sociale, idenë e padrejtësive historike nacionale dhe mllefin qytetar me një kastë të vjetër politike. Të njëjtat tipare i atribuohen ardhjes së të gjithë liderëve autokratë totalitarë – që prej autokratëve totalitarë si Benito Musolini e Ferdinand Markosi dhe gjer tek autokratët e demokracive iliberale si Viktor Orbani e Nikolla Gruevski.

Së treti, teoritë e shkencave politike bëjnë një dallim të qartë mes autoritarizmit dhe totalitarizmit. Sipas këtyre përkufizimieve, mësa liderët autokratë synojnë kontrollin e përgjithshëm të të gjithë ingranazhit dhe aparatit shtetëror, liderët totalitarë shkojnë edhe një hap tutje – ata, përpos aparatusit shtetëror, synojnë ta vënë në kontroll edhe mendjen e subjekteve të tyre. Ata nuk mjaftohen vetëm me kontrollimin e veprimeve të nënshtetasve, por edhe të mendimeve të tyre. Një distopi orvelliane. Një “Pallat i Ëndrrave” kadarean që synon ta imponojë mendimin e tij uniform për gjithçka. Shija për filma, libra e këngë, mënyra se si vishesh, gjykimi yt për akëcilin personazh historik ose akëcilën ngjarje historike, besimi ose mosbesimi yt fetar, autorët filozofikë e letrarë që lexon, mënyra si e vë kapelën dhe stili i flokëve që mban – të gjitha këto duhet t’i subordinohen shijes unitare të liderit suprem. Jo thjesht një përkatësi politike, por një sistem jete i dirigjuar nga “shija supreme dhe unitare”, nga Njëshi. Për autoritarizmin, ti je armiku nëse nuk vepron siç thotë lideri; për totalitarizmin, ti je armiku nëse nuk vepron dhe nuk mendon siç thotë lideri.

Por, t’i kthehemi librit të Gesenit, i cili na sjell eksperiencën e Juri Levadës, një prej sociologëve më të famshëm rusë. Kur më 1987 po frynte era e Perestroikës së Gorbaçovit, Levadës iu lejua hapja e një qendre studimore sociologjike, gjë që kishte qenë e paparamendueshme për shtatë dekadat paraprake në Bashkimin Sovjetik. Puna e parë që bëri Levada ishte hipoteza e detajimit të portretit të “Homo Sovieticus”-it (që mund të përkthehet si “njeriu sovjetik”), i cili qe inxhinieruar nga regjimi totalitar sovjetik, sikurse çdo regjim totalitar që ëndërron farkëtimin e një lloj qenie njerëzore në të cilin mund ta bazojë stabilitetin e vet.

Ky arketipit i “njeriut të ri”, Homo Sovieticus-i, sipas taksonomisë së Levadës kishte këto tipare: shpërblimin,bindjen, konformitetin dhe nënshtrimin. Vetizolimi ishte çelësi se si arrihej kjo. Homo Sovieticus-i e distanconte veten nga çdonjëri dhe nga çdo mendim që ishte ndryshe. Ai ishte “armiku i klasës”. Kush mendon ndryshe është Tjetri; Tjetrit nuk i zihet besë dhe Tjetri duhet sulmuar pa prajtur.

Homo Sovieticus-i është në negociatë konstante me Partinë, e cila është sikur një lloj panoptikoni omniprezent i Mishel Fukosë. Kjo negociatë e pandalshme me kupolën e totalitarizmit njëkohësisht është edhe strategjia e mbijetesës së këtij arketipi edhe instrumenti i kontrollit të tij nga Partia. P.sh., ai arketip, duke marrë pjesë në implementimin e vijës së Partisë mbijeton duke dëshmuar besnikërinë e tij, por në të njëjtën kohë Partia e bën atë bashkëfajtor të asaj vije. Kjo ka shpjegim edhe psikosocial – duke qenë hisenik i një gabimi, së pari, ti nuk e ke distancën objektive morale për të gjykuar veprimet e Partisë dhe, së dyti, duke qenë vetë i implikuar, ti nuk mund të dalësh lehtë nesër nga zgjoi i Partisë.

Masha Geseni sjell një shembull tipik kur Partia mëmë ndan fajin me fëmijët e saj. Ana Mihajlovna, ishte një vajzë e re, e dashuruar marrëzisht pas Grigori Jakovinit. Dy inteletualët e rinj idealistë u bënë partizanë të Leninit, për t’u martuar më pas dhe për ta krijuar familjen e tyre. Por, kur Jakovini, gjatë viteve të “Spastrimeve të mëdha” të Stalinit, u akuzua nga Partia se kishte rënë në pozita trockiste, Ana e denoncoi dhe e akuzoi, ndonëse ai ishte babai i fëmijës së saj dhe dashuria e saj rinore. Ai vdiq në gulage, kurse ajo u shpërblye si anëtarë e Komitetit Qendror. Në totalitarizëm, Partia është mbi dashurinë. Siç thoshte një varg i poezisë së Naum Korzhavinit – një poet ruso-hebre i internuar në Siberi – “puna e Partisë është e shenjtë, s’ka vend për emocione”. Homo Sovieticus-i ishte shpërblyer që kishte zgjedhur dogmën mbi familjen. Homo Sovieticus-i ishte bërë sërishmi bashkëfajtor i krimeve të Partisë dhe kësisoj garantohej heshtja e bindja e tij. Shpërblimi, heshtja e bindja – tiparet e taksonomisë së Levadës.

Geseni pasuron librin edhe me Marina Arutjunjanit, një personazh tjetër interesant. Ajo është psikianaliste në Moskën e viteve ‘90, tek rastet e pacientëve të të cilës shpërfaqen pasojat e llojndryshme të një shoqërie që ka rritur jetën në totalitarizëm. Njëra paciente ankohej se tek gjyshja e saj, edhe pas rënies së totalitarizmit, kishin ngelur shenjat e asaj periudhe. Gjyshja e denonconte mbesën në shkollë për “vetëdije të pamjaftueshme” rreth seriozitetit të detyrave të shtëpisë, gjersa në një rast tjetër e kishte mbyllur në ballkon. Arsyeja? Gjyshja, në rininë e saj, kishte punuar si gardiane e kampeve të internimit dhe një nga ndëshkimet më të shpeshta asokohe ishte kur gardianët të linin në oborr për ta kaluar natën në të ftohtin siberian. Totalitarizmi kishte rënë, por jo edhe tiparet totalitariste të kësaj gjyshe, sikurse të shumë Homo Sovieticus-ëve.

Një pacient tjetër i Marinës ankohej për raportet e tij me babain. Babai kishte qenë një komunist i bindur dhe i indoktrinuar, me besim të verbër tek Partia. Kur djali i tij e kishte thyer dorën, ai nuk guxoi t’i tregonte të atit sepse ai e kishte mësuar se “komunistët nuk ndjejnë dhimbje”. Ai kishte mbuluar muret e dhomës së fëmijëve të tij me parulla ideologjike të Leninit, Maksim Gorkit e Aleksej Makarenkos. Për shkak që nuk kishte guxuar t’ia thoshte babait se kishte dhimbje, djali kishte mbetur me dorë thuajse të palëvizshme. Këta pacientë të Arutjunjanit ishin shëmbëlltyra e shkatërrimit të fabrikës sociale nga Partia totalitariste dhe e dehumanizimit total të qytetarëve të saj.

Kur kishte filluar studimin e tij në kohën e Perestroikës, Juri Levada pohoi se, duke qenë pesëdhjetë vite pas “Spastrimeve të mëdha” dhe tridhjetë vite pas vdekjes së Stalinit – arketipi i Homos Sovieticus-it po vdiste sepse po vdiste brezi i lebetitur dhe i heshtur për shkak të tiranisë së Stalinit. Brezi i ri, parashikoi Levada, pasi që nuk i kishte përjetuar ato lemeri, nuk do të kishte frikë dhe një diktaturë nuk mbijeton dot pa frikën e subjekteve të tij. Për rrjedhojë, në vdekjen e Homo Sovieticus-it, Levada parashikonte jo vetëm vdekjen e Bashkimit Sovjetik, por edhe vdekjen e totalitarizmit në Rusi.

Por, vitet e ardhshme do ta demantonin Levadën.  Liberalizmi politik i viteve ’90 nuk vajti krejt vaj. Ai solli me vete edhe dukuritë negative të një shoqëri në tranzicion. Papunësia, pabarazia ekonomike, pasurimi i beftë i nouveau riche, ndikimi i jashtëzakonshëm i oligarkëve të ri, ishin disa nga karakteristikat që akumuluan mllef tek shoqëria ruse. Kur kjo kombinohej me dobësinë e Jelcinit dhe poshtërimin në Çeçeni, rritej në mënyrë eksponenciale kërkesa për një lider të fuqishëm. Në tokën e pëlleshme të ndjenjës së poshtërimit nacional dhe pabarazive socio-ekonomike po mbinte fare e një totalitarizmi të ri.

Lev Gudkovi, një dishepull dhe bashkëpunëtor i Levadës, analizonte pritshmëritë e rusëve të frustruar – ata donin një shpëtimtar, një lider dominues. Vladimir Putini ishte gjetja e përkryer. Nga gushti gjer në nëntor 1999, përkrahja për Putinin në sondazhe fluturoi nga 31 në 80 përqind. Sociologu Lev Gudkov e shihte këtë mani si tipar të një shoqërie të mbyllur e në depresion – më shumë psikologjik sesa ekonomik.

Teoria e Levadës për vdekjen e Homo Sovieticus-it ishte demantuar, jo vetëm nga kërkesa për një totalitarizëm të ri, por edhe nga rikthimi i mendësisë totalitare tek masat. Në sondazhin që bëri ekipi i tij, numri i atyre që u përgjigjën se do t’i linin rehat homoseksualët dhe rokerët ra në 18 përqind, krahasuar me 29 përqind sa ishte më 1994, në kohën e lulëzimit të liberalizmit politik në Rusi. Numri i respodentëve që do preferonin rikthimin e Bashkimit Sovjetik kishte shkuar në 58 përqind. Pra, sistemi politik i demokracisë liberale në vetvete nuk ish kurrfarë garance për moskthimin e totalitarizmit.

Në fakt, ekipi i Levadës dhe Gudkovit e përjetuan në lëkurë të vet egërsinë e liderit totalitar. Në vitin 2003, duke e parë si një ishull disidenceje, Putini vendosi ta mbyllte “Qendrën Ruse për Hulumtimin e Opinionit Publik”, siç quhej qendra studimore sociologjike e Levadës. Ai tashmë kishte filluar gjuetinë e shtrigave për kapjen e të gjitha institucioneve të pavarura dhe për mbylljen e çfarëdo zëri kundërshtues. Si mbulojë po përdorte përkrahjen popullore – “populli më do” – justifikimi endemik i çdo lideri autoritar. Putini nuk do ta përdorte vetëm monopolin e dhunës shtetërore. Ai kishte filluar të ngriste edhe aradhat e militantëve të tij për të qëruar hesapet me kritikët e tij. Historiani Juri Afansajev do t’i quante “shumica agresivisht e bindur”.

Natyrisht, Putinit nuk i mungonin as analistët e intelektualët që jo vetëm merrnin pjesë në këto marshe në përkrahje të tij, por edhe gatisnin gjellën e justifikimit ideologjiko-politik të qeverisjes së tij totalitare e autoritare. Aleksandër Dugini ishte njëri syresh. Një pseudointelektual i ri egocentrik e kontroverz, ai ishte pozicionuar si gardian i mbrojtjes së qeverisjes së Putinit nga komplotet që vinin ndaj tij prej asaj që Dugini e quante “xhihadi amerikan” – ku ai përfshinte çfarëdolloj kritike a proteste të shoqërisë civile e të opozitës kundër mendësisë totalitare e qeverisjes autokratike të Putinit.

Ja, kështu nisi qeverisja e Putinit – mbi frustrimin ekonomik dhe nacionalizmin e lënduar të rusëve të izoluar. Pjesa tjetër është histori. Totalitarizmi sovjetik, bindja dogmatike ndaj nënës Parti, por edhe totalitarizmi i Putinit, bindja dogmatike ndaj babait politik, shkatërruan fabrikën e shoqërisë ruse. Rasti i Putinit është sinjifikativ se si demokracitë liberale nuk janë imune nga sëmundjet politike të populizmit ose totalitarizmit. E, për rrjedhojë, s’mund të jetë as Kosova jonë. Prandaj vlerësoj se “E ardhmja është histori” e Masha Gesenit ia vlen të lexohet edhe në Kosovë dhe e rekomandoj fuqishëm. Masha Geseni e quan “situatë autoritare” gjendjen tranzicionale kur një shoqërieje liberale i hakërrehen tendencat autoritare e totalitariste. Duke mësuar sot nga librat për totalitarizmin e vendeve të tjera, e pamundësojmë që nesër të shkruhen libra për totalitarizmin e vendit tonë.