Homazh për prof. Frowein, mikun e mirë të shqiptarëve - Gazeta Express
string(51) "homazh-per-prof-frowein-mikun-e-mire-te-shqiptareve"

OP/ED

Gazeta Express

28/02/2026 8:20

Homazh për prof. Frowein, mikun e mirë të shqiptarëve

OP/ED

Gazeta Express

28/02/2026 8:20

Shkruan: Xhezair Zaganjori

Pak ditë më parë, më 8 shkurt 2026, u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare profesori i njohur gjerman Jochen Abr. Frowein, konstitucionalist dhe ekspert i shquar i së drejtës ndërkombëtare. Ai ishte njëkohësisht edhe një mik mjaft i mirë i shqiptarëve. Varrimi i tij u bë më datë 26 shkurt 2026, përmes një ceremonie mortore të zhvilluar në qytetin Heidelberg, ku krahas familjarëve dhe bashkëpunëtorëve në vite të Institutit Max – Planck, morën pjesë edhe drejtues e përfaqësues të institucioneve qendrore gjermane, akademikë, personalitete të jetës shkencore e publike, e të tjerë.

Jochen Frowein lindi në vitin 1934 në Berlin. Në vitet ‘50 studioi për drejtësi në Gjermani e SHBA, ndërsa në vitin 1960 mori gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Bonit. Po në këtë universitet do të merrte shtatë vjet më vonë edhe titullin “Profesor”. Ndërkaq, në vitin 1962 filloi të punojë si kërkues shkencor në Institutin e mirënjohur Max – Planck për të Drejtën Kushtetuese dhe Ndërkombëtare në Heidelberg të Gjermanisë. Nga viti 1981 deri në vitin 2002, ai ishte drejtor në këtë institut, ndërsa nga viti 2002 e deri sa vdiq (shkurt 2026), drejtor Emeritius (Nderi) i tij.

Krahas punës në institut si ekspert apo si drejtues, ai ka dhënë vazhdimisht edhe kurse leksionesh në mjaft universitete të Gjermanisë, Francës, SHBA e Britanisë, si në Heidelberg, Bonn, Bielefeld, Bochum, Berlin, Pantheon-Assas Paris II/Paris, “Robert Schuman”/Strasburg, Michigan/Ann Arbor, Georgetoën/Washington, Harward/Massachusetts, Oksford e të tjerë.

Përveç angazhimit në institut dhe si lektor në universitete të ndryshme, si jurist i shquar ai ka kryer njëkohësisht, në periudha të ndryshme kohore, edhe detyra të tjera të rëndësishme brenda e jashtë Gjermanisë, si: anëtar në Delegacionin Gjerman dhe këshilltar i ishKancelarit Vili Brand në përfundimin e “Traktateve të Moskës e Varshavës”, që i hapën rrugë të ashtuquajturës Ost Politik (vitet 70’); Anëtar i Grupit Vedel (1971-1972) për të vlerësuar kuadrin institucional të Bashkimit Europian (atëherë Komuniteti Europian); nënkryetar e anëtar i Këshillit Shkencor Federal; anëtar i Këshillit konsultativ për të Drejtën Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme gjermane; anëtar dhe nënkryetar i Komisionit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Europës (1973 – 1993); president i Shoqatës Gjermane të së Drejtës Ndërkombëtare; president i Shoqatës së Pedagogëve Gjermane të së Drejtës Publike; anëtar i Institutit të së Drejtës Ndërkombëtare/Washington; nënkryetar i Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve/Gjenevë; përfaqësues i Qeverisë Gjermane për mjaft çështje të paraqitura në gjykata të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese/ Karlsruhe, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatën Europiane të Drejtësisë apo Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit; ekspert i Parlamentit Europian; anëtar i Gjykatës së Arbitrazhit të Bankës për Rregullimet Ndërkombëtare (BIS); e të tjerë… Me dhjetëra janë gjithashtu vlerësimet zyrtare dhe titujt shkencorë të akorduar për prof. Frowein nga institucione e universitete të ndryshme në Gjermani, e më gjerë.

Përmes angazhimeve të mësipërme, ndër kontributet më të drejtpërdrejta e pikante të prof. Jochen Frowein mund të përmenden: Teza e Frowein në kuadër të bisedimeve të ish-Kancelarit Vili Brand në Moskë e Varshavë për ta trajtuar zyrtarisht Gjermaninë Lindore si “Regjim de facto”, gjë që do të shërbente në vijim si sfidë e suksesshme për kapërcimin e politikave ortodokse tradicionale në dialogun Lindje – Perëndim; Hartimi i raportit kritik të Grupit Vetel mbi nevojën e forcimit të pavarësisë dhe përfaqësimit qytetar në institucionet kryesore të Bashkimit Europian, veçanërisht ne Parlament; angazhimi për krijimin e një jurisprudence sa më të qëndrueshme të Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Strasburg; organizimi i punës brenda institutit në ndihmë të hartimit të dokumenteve të tillë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet, Diplomatike, Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore, Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit, Konventat e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, Statutin e Romës mbi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e të tjerë.; Angazhimi për hartimin e botimin nga Instituti Maks – Planck të dy Enciklopedive të së Drejtës Ndërkombëtare; zgjedhja nga Bashkimi Europian në vitin 2000 në Grupin e “Tre të Zgjuarve” (së bashku me ish-Presidentin finlandez Matti Ahtisari dhe ish-Komisionerin e ministrin e Jashtëm spanjoll Marcelino Oreja) për të vlerësuar masat e mundshme ndaj Austrisë për shkak të përfshirjes në koalicionin qeverisës të një force politike të ekstremit të djathtë, gjë që mendohej se mund të përbënte rrezik për “… cenimin e vlerave të përbashkëta europiane…”; Përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese i interesave të Parlamentit e Qeverisë gjermane lidhur me pjesëmarrjen e Bundeswerit në operacionet ushtarake ndërkombëtare (1994- bëhej fjalë për angazhimin në Bosnje, që ishte njëkohësisht pjesëmarrja e parë zyrtare e tyre pas Luftës së Dytë Botërore); Krijimi i rrethit të Gjykatave Kushtetuese të Europës Qendrore e Lindore që do të bashkëpunonin me Institutin Max – Planck për çështje të ndryshme lidhur me zbatimin e parimeve themelore të demokracisë e shtetit të së drejtës e të tjerë. Sigurisht që puna e profesor Frowein është materializuar gjithashtu në botime pa fund të librave, komentarëve, artikujve shkencorë e të tjerë, përqendruar kryesisht në fushat e Të Drejtës Kushtetuese, Të Drejtës Ndërkombëtare, Të Drejtës Europiane e Të Drejtave të Njeriut.

Profesor Frowein ka pasur kontakte edhe me Shqipërinë e shqiptarët. Që me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë në fund të viteve ‘80 të shekullit të kaluar e në vijim, ai krijoi mundësinë që në Institutin Max – Planck të bënin kërkim shkencor e specializoheshin vazhdimisht juristë të rinj nga Shqipëria e Kosova. Nga ana tjetër, edhe vetë ka qenë disa herë në Tiranë e Prishtinë për të marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme shkencore të organizuara nga Gjykatat Kushtetuese respektive. Me porosi të Presidentit Rugova dhe angazhimin e Zyrës Qendrore të LDK-së në Shtutgart që drejtohej nga zoti Hafiz Gagica, në vitin 1998 ka ardhur disa herë në Institutin Max – Planck/Heidelberg Profesori dhe atdhetari i shquar Fehmi Agani. Në këto raste, nën drejtimin e prof. Frowein janë diskutuar në një rreth të ngushtë me ekspertë të institutit çështje të rëndësishme që kishin të bënin me perspektivat e zgjidhjes së problemit të Kosovës, me fokus kryesor pavarësinë e saj. Përmes këtyre takimeve z. Agani fitoi simpatinë dhe vlerësimin maksimal të zotit Frowein dhe ekspertëve të tjerë të Institutit. Vetëm një vit më vonë, ishte pikërisht prof. Frowein që me ndërmjetësinë e ambasadës gjermane në Shkup do të dërgonte një letër të veçantë e tepër prekëse, për t’u lexuar në varrimin e patriotit të madh Fehmi Agani, vrarë mizorisht nga forcat paramilitare serbe në fillim të majit të vitit 1999. Po në vitin 1999, prof. Frowein pranoi të ishte jo vetëm këshilltar i jashtëm i delegacionit zyrtar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, por si akademik i njohur e me autoritet kombëtar e ndërkombëtar të padiskutueshëm, u angazhua seriozisht për të mbrojtur në shtypin e shkruar të kohës dhe në prononcimet televizive ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Mes të tjerave, në gazetën e mirënjohur Neuen Zurischer Zeitung, duke folur për Kosovën, ai do të vinte në dukje se “… që nga viti 1945, e drejta ndërkombëtare është zhvilluar shumë…. Si e tillë, ajo tashmë nuk mbron vetëm sovranitetin e shtetit, por edhe të drejtat individuale nga shkeljet masive e sistematike të të drejtave të njeriut… Ndaj, ndërhyrja humanitare duhet të konsiderohet sot edhe si një karakteristikë kushtetuese e sistemit juridik universal…”.

Të njëjtën gjë prof. Frowein do të bënte edhe në vitin 2010, kur si përfaqësues i Shqipërisë do të mbronte në Hagë çështjen e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të shpalljes së pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008. Mund të konstatohet fare lehtë se vendimi përfundimtar i kësaj gjykate ka pranuar thuajse tërësisht tezat dhe idetë qendrore të paraqitura para saj nga profesor Frowein në fazën me shkrim dhe me gojë të këtij gjykimi. Ndër të tjera, ai do të deklaronte qartësisht se “… Deklarata e Pavarësisë nuk është bërë nga institucionet e përkohshme, por në thelb ajo është thjeshtë shprehje e plotë e vullnetit sovran të popullit të Kosovës, një ‘Pouvoir constituent’ i tij…”. Profesor Frowein ishte një jurist i madh, me autoritet shkencor të padiskutueshëm. Ai ishte gjithashtu një europian vizionar, një profesor par excellence dhe një familjar shembullor. Mbi të gjitha Frowein kishte zemër të madhe dhe ishte tepër njerëzor e shumë korrekt me të gjithë.

Me vdekjen e tij mendoj se edhe shqiptarët kanë humbur një mik të mirë e të devotshëm, që ka promovuar e mbrojtur me përkushtim, dashuri e profesionalizëm të drejtat e interesat e tyre të ligjshme.

Advertisement
Advertisement
Advertisement