Tyson Fury është duke bërë përgatitje intensive në kushte të nxehta si në sauna, për meçin e trilogjisë me Deontay Wilderin për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC.
Fury e mposhti Wilderin në rimeçin e tyre në shkurt 2020 për titullin e botës në WBC, duke e mbizotëruar plotësisht dhe priste të përballej me bashkatdhetarin e vet britanik, Anthony Joshua, i cili i mban titujt e botës në IBF, WBO dhe WBA, për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës këtë verë, transmeton Gazeta Express.
Por planet e tij për meçin e shumëpritur me Joshuan i prishi gjykata e arbitrazhit, e cila vendosi që Fury duhet të përballet me Wilderin edhe një herë, pas ankesës së boksierit amerikan.
Takimi i tretë mes Fury dhe Wilder do të zhvillohet më 24 korrik.
Së fundmi, Fury njoftoi se do të largohet nga rrjetet sociale për t’u përqendruar plotësisht në stërvitje dhe ish-partneri i stërvitjeve Dmitriy Salita ka treguar hollësi në punën që Fury po e bën prapa skenës.
“Kam qenë në Miami me Tysonin dhe ai është në formë shumë të mirë për meçin me Wilderin muajin e ardhshëm”, tha Salita.
“Shkova në palestër dhe ai i bëri 15 runde pandërprerë, pa pushim. Ai po stërvitet fort dhe është në formë fenomenale dhe në humor të mirë”, shtoi ai.
“Nga një pikëpamje e qartë prej boksieri, ai duket plotësisht i gatshëm për të luftuar javën e ardhshme. Ai është në formë të shkëlqyer”, tregoi ai.
“Palestra në Florida është 36 gradë celsius. Pas dy rundeve tapeti i ringut ngrohet vërtet shumë dhe pastaj ngrohet edhe tavani. Është sikur të futesh në sauna”. /Gazeta Express/