Historiku i përmbledhur i Teatrit Kombëtar - Gazeta Express
string(44) "historiku-i-permbledhur-i-teatrit-kombetar-2"

Historiku i përmbledhur i Teatrit Kombëtar

Gazeta Express

17/05/2020 16:30

nga Aurel Plasari – korrik 2018

Mjafton që, si një heqje nervi, t’ia shkulësh një shoqërie kujtesën historike që ta kthesh atë në barbare. “Mjerë ai popull që e ka humbur kujtesën historike!”, psherëtihet atëherë. Mirëpo, “atëherë” domethënë vonë. Asgjësimin e kësaj ekzistence të dytë të qenies shqiptare synon kazma që është ngritur kundër një monumenti shumëfish historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar, – siç është ish-kompleksi emërmadh “Skanderbeg”, i thjeshtuar sot në trajtë të aktualizuar si “Teatri Kombëtar”.

Lexo Edhe:

U duhet treguar saktë bashkëqytetarëve se për çfarë monumenti shumëfish historik bëhet fjalë, ndonëse betejën për mbrojtjen e tij po e zhvillojnë më së shumti njerëz të teatrit. Ata paçin faqen e bardhë për këtë betejë! Dhe nuk do të m’i keqkuptojnë pohimet e këtushme, së paku ata që e dinë se, për ç’i takon historisë së teatrit, jam rritur në rreth familjar njerëzish të lidhur me teatrin qysh prej viteve ’30. Por, meqë kazma e sapongritur synon një rrënim shumë më “kompleks”, duhet shtyrë pak dera e së kaluarës për të parë të ardhmen para se krimi të kryhet.

Monumenti në fjalë është konceptuar, projektuar dhe realizuar pikërisht si një kompleks. I përfunduar së ndërtuari më 1940, në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste, kompleksi emërtohej saktësisht “Qarku italo-shqiptar Skanderbeg”. Në botimet enciklopedike të një kalorësi të mbrojtjes së kujtesës së kryeqytetit, dr. Spiro Mëhillit, mund të gjeni të dhëna ndër më kërshëroret për unicitetin e kompleksit në fjalë.

Të dhëna plotësuese, kush të dëshirojë, mund të qëmtojë në botimin “Historia e shtetit shqiptar 1912-2005: Organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar” (2006), të historianit të vështruar vëngër Kastriot Dervishi. Dëshmi dokumentare me vlera unikale figurative u shtohen atyre nga arkivat e Institutit “LUCE” dhe ata të ATSH-së sonë. Do të ishte dhunë që historia e këtij monumenti shumëfish historik të Shqipërisë të mëvishej me çaprashitje ndërtimesh “të përkohshme”, për asqerhane italiane a për eglenxhehane. “Qarku italo-shqiptar Skanderbeg” përbëhej nga dy ndërtesa paralele, të ndara nga një gjysmëpatio e organizuar si mjedis relaksimi: me një pishinë në mes dhe përfund me një palestër model për kohën. Bëhej fjalë për konceptime me parametra bashkëkohorë të ndërtimeve të epokës së njohur si “il Ventennio”, fashist për komplekse të atilla. Ndër dy ndërtesat, ajo majtas emërtohej në fillim “Kinema-Teatër Savoia”. I konceptuar si për projektime filmash, ashtu edhe për shfaqje teatri, koncerte artistike etj., në kohën e vet u klasifikua si “i cilësisë së parë”. Por të vihet re: i përshtatur edhe për veprimtari ndër më të rëndësishmet politike, përfshirë ato të krerëve të shtetit, pavarësisht regjimeve politike. Hyje dhe aty të priste një atrium, kurse mbas tij një sallon për publikun para shfaqjes ose gjatë antrakteve me pushime. Salloni kishte një garderobë nga njëra anë dhe nga ana tjetër shërbimet e tualetit. Fotot e LUCE-s i dëshmojnë ato shërbime të një cilësie ende sot të lakmueshme, d.m.th. krejt ndryshe nga sa ankohet ndonjë “ndërtues” nga ata të specializuarit për të ndërtuar qenefe allaturka të modelit të diktaturës. Dyshemeja e sallonit ishte shtruar me pllaka mermeri të kombinuara bardhë-e-zi. Përkundrejt çeleshin dyert për në sallën e shfaqjeve, të dubluara me perde të rënda kadifeje. Ato çonin në platenë, kurse në të dyja anët çeleshin dyert për t’u ngjitur në të dyja katet e lozhave.

Kati i parë i tyre përbëhej nga ndarje të veçanta, kurse kati i sipërm shërbente si galeri për publikun me bileta më të lira; galeria ka funksionuar deri kur kam qenë vetë fëmijë. . Teatri Kombaëtar dhe zona përreth – Pamje ajrore Në atë kinema-teatër, që cilësohej “e cilësisë së parë” në Shqipëri, spektatori shqiptar u njoh “nga afër” – madje duke rënë në dashuri me ta – me aktorë të shkëlqyer të artit kinematografik: Greta Garbo, Alida Valli, Anna Magnani, Lorenz Oliver, Amadeo Nazzari, Vittorio de Sica, me dhjetëra. Jo vetëm kaq, por po në atë mjedis kulturor-artistik nisën e u organizuan në kryeqytetin e Shqipërisë vargu i koncerteve të muzikës klasike: Scarlatti, Cherubini, Corelli, Vivaldi, Bocherini, Cimarosa, Paganini, Rameau, Schumann, De Gallot, Schopin etj. Kushedi sa artdashës i ndiqnin për së pari herë! Deri edhe spektaklet me pjesë nga repertori i zgjedhur operistik aty u praktikuan: nga Verdi, Bellini, Donizetti, Rossini etj., përfshirë edhe një Mascagni të përsyshur dikur si “bolshevik” nga Mussolini gazetar. Dhanë aty koncerte edhe yjet shqiptare të muzikës lirike, që nga Tefta Tashko-Koço dhe Kristaq Antoniu, nga Jorgjia Filçe dhe Marie Kraja, etj. Aty dha shfaqje të vetat edhe Grupi Filodramatik i Radio-Tiranës, siç quhej, “Strazivari”, “Peshku në det”, “Osman Opingaxhiu” të Viktor Eftimiut etj., çfarë do të thotë që aty u shfaqën Mihal Popi, Behije Çela, Xhevat Serezi dhe të tjera figura që do t’i jepnin sharm edhe Teatrit të ardhshëm Kombëtar. Ja një arsye më shumë se përse rekomandoj t’i kaloni njëherë për duarsh enciklopeditë e dr. Mëhillit. Nga 9 më 12 prill 1940, u përurua aty ai që do ta meritonte të quhej i pari festival i këngës popullore shqiptare. Përpos zonjave Marie Kraja dhe Tefta Tashko, si dhe mjeshtres Lola Gjoka dhe mjeshtrit Tonin Guraziu në piano, në atë sallë u shfaq për së pari në publik rapsodi magjepsës Gjergj Pllumbi.

Edhe ekspozita të arteve figurative u organizuan në sallonin e atyshëm; ndër to u shënua për mbresat që la ajo e motrave piktore Androniqi dhe Sofia Zengo. Duhet të jeshë përnjëmend i pacipë që të guxosh e ta përshkruash një mjedis të tillë, i cili prej majit 1941 riemërtohej “Kinema-teatër Kosova”, si ngrehinë “të përkohshme” për asqerhane italiane a për eglenxhehane. Ceremoni të tyret, ndër më të rëndësishmet politike, i kryen po aty edhe kryeministra dhe ministra të Shqipërisë së pushtuar, duke përfshirë edhe vetë Zotërinë e Tij, Françesco Jacomoni di San Savino, mëkëmbës i mbretit në Shqipëri.

I veshur e i mbathur gjithë sqimë, kokë e këmbë në të zeza, vetë senatori Mustafa Merlika-Kruja mbajti aty, në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të Shqipërisë, ligjëratën “Shqipnija, shtet i bashkuem me Italín në suazën e Perandorís së Romës”: njëfarë leksioni që do të delte herët jashtë modës politike. Sikundër delte edhe ai i 22 nëntorit 1942, me titull “Në hullí të histories”, prej të cilit u mbajt mend thirrja që u bëhej shqiptarëve për të rënë në gjunjë e për t’i puthur çizmen ushtarit të Rajhut të Tretë. Pjesë të historisë politike të shtetit shqiptar përbëjnë, pa pikë dyshimi, edhe këto. Nuk ka sesi të harrohet sakaq ndërtesa tjetër paralele, ajo në të djathtë. Në të u vendosën strukturat e mirëfillta të fondacionit “Skanderbeg”. I menaxhuar prej një bordi të përbërë prej emrash të nderuar të kohës, si Gjergj Bubani, Odhise Paskali, Vangjel Koça, Bahri Omari, Kristo Kono etj., fondacioni do të punonte nën motto-n “Pro Cultura”. Tek ajo ndërtesë e dytë qe vendosur edhe tanimë i njohuri në historinë e albanologjisë si “Instituti i Studimeve Shqiptare”. Përkrah ndonjë emri italian pa peshë u mblodhën e punuan në atë Institut kontribuues shqiptarë që u vinte era shkencë e kulturë: Dhimitër Berati, Aleksandër Drenova (Asdreni), Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Et’hem Haxhiademi, Kolë Kamsi, Sotir Kolea, Xhevat Korça, Nikollë Lako, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, Vincenc Prennushi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Justin Rrota, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj.

Aty i patën zyrat, bibliotekat dhe sallat e mbledhjeve. Po aty, dhe jo kund tjetër, u organizua e u mblodh nga 9 më 13 prill 1940 “Ma i pari Kuvend i Studimevet Shqiptare”. Fatmirësisht janë publike punimet e tij, në të cilat u hodhën bazat e projekteve: për një Fjalor të madh të gjuhës shqipe, për një Enciklopedi shqiptare, për një korpus të botimeve dokumentare për historinë e Shqipërisë “Albania diplomatica”, për fillimin e botimit të kolanës së Folklorit shqiptar etj., deri te projekti për një Muze të Shkencave të Natyrës. Sa pllaka përkujtimore do të duheshin vendosur në atë ndërtesë të dytë, që një frotë të papërgjegjshmish guxojnë të na e përshkruajnë si ngrehinë “të përkohshme” për asqerhane italiane a për eglenxhehane? http://www.radiandradi.com