Kënga Whole Again e grupit britanik Atomic Kitten u bë një nga hitet më të mëdha të pop-it në fillim të viteve 2000.
Por rruga drejt suksesit ishte shumë më e pazakontë nga sa mendojnë shumica – dhe, sipas krijuesve të saj, gjithçka nisi falë një ideje që lidhej me grupin elektronik gjerman Kraftwerk.
Si lindi ideja për grupin
Në vitin 1996, muzikanti dhe producenti Andy McCluskey nga Orchestral Manoeuvres in the Dark (OMD) po përpiqej të gjente një mënyrë të re për të sjellë muzikën e tij te publiku. Sipas tij, në epokën e Britpop-it, publiku e shihte OMD si një grup të vjetër synth-pop nga vitet ’80 dhe këngët e tyre nuk merrnin më vëmendjen e radios apo dyqaneve muzikore.
Miku i tij Karl Bartos nga Kraftwerk i dha një ide të pazakontë: të krijonte një grup vajzash që do të interpretonte këngët e tij. Kështu nisi projekti që më vonë do të bëhej Atomic Kitten.
Në audicionet e para u paraqitën Kerry Katona, Liz McClarnon dhe më pas Natasha Hamilton. Edhe pse Kerry nuk konsiderohej këngëtare e shkëlqyer, producentët menduan se kishte karizëm të veçantë. Ndërkohë, zëri i fuqishëm i Natashës i bindi menjëherë se ajo duhej të ishte pjesë e grupit.
Transformimi i këngës
Fillimisht Whole Again ishte një baladë elektronike. Por bateristi i OMD, Stuart Kershaw, propozoi ta transformonte në një këngë pop me ndikime gospel. Ai ndryshoi ritmin e baterive duke u frymëzuar nga kënga Killing Me Softly e Fugees dhe shtoi elemente si bas dhe organo. Kënga mori menjëherë një energji krejt tjetër.

Teksti flet për momentin kur një marrëdhënie përfundon dhe ndjenja e humbjes është e fortë, sikur një pjesë e jetës të mungojë. Natasha Hamilton interpreton pjesën kryesore me një zë të fuqishëm, ndërsa Liz McClarnon sjell një ndjeshmëri që e bën këngën edhe më emocionale.
Për pjesën e folur të Kerry Katonës u deshën plot 39 regjistrime, të realizuara gjatë disa muajve. Arsyeja ishte se ajo kishte bërë një operacion në bajame dhe zëri i saj ndryshonte vazhdimisht.
Suksesi i papritur
Kur kënga doli në treg, ajo arriti menjëherë vendin e parë në toplista. Megjithatë, periudha e promovimit ishte shumë intensive dhe e vështirë për grupin. Në një moment, Kerry pati edhe një krizë nervore gjatë një udhëtimi për në emisionin The Pepsi Chart Show. Në atë kohë, grupi vendosi ta zëvendësonte me këngëtaren Jenny Frost për performancën live.
Megjithatë, kënga vazhdoi të rritej në popullaritet. Sipas Natasha Hamilton, publiku e ndjeu menjëherë mesazhin e saj universal për zemrën e thyer.
Kur pop-i mundi U2
Atomic Kitten nuk merreshin shumë seriozisht nga industria muzikore në fillim. Por suksesi i Whole Again ndryshoi gjithçka. Kënga shiti aq shumë sa në një moment grupi po shiste më shumë se legjendat e rock-ut U2.
Madje, sipas Hamilton, edhe vetë këngëtari i U2, Bono, bëri shaka duke thënë se “pop-i na mundi”.
Një moment i paharrueshëm
Një nga performancat më të veçanta të këngës ishte gjatë festimeve të Golden Jubilee of Queen Elizabeth II, ku Atomic Kitten performuan para një publiku prej rreth 100 mijë vetash në Londër. Në skenë ishin edhe artistë të njohur si Phil Collins dhe Bryan Adams.
Për Natasha Hamilton, ajo ishte një ëndërr e realizuar: një vajzë që dikur regjistronte listat muzikore në kaseta, tani kishte një hit që këndohej nga mijëra njerëz njëkohësisht. /GazetaExpress/