Në korrik, një 17-vjeçar udhëtoi 800 kilometra nga shtëpia e tij në Ukrainën lindore për të gjetur një bombë dhe një telefon të fshehur në një park në qytetin perëndimor të Rivne-s.
Ai thotë se i ishin premtuar rreth 1,700 euro për ta vendosur bombën në një furgon të përdorur nga shërbimi ushtarak i Ukrainës.
“Kur i lidha telat, mendova se mund të shpërthente në atë moment. Mendova se mund të vdisja”, i tha ai BBC-së.
Vlad, jo emri i tij i vërtetë, është një nga qindra fëmijë dhe adoleshentë që, sipas qeverisë ukrainase, u rekrutuan në internet nga Rusia në këmbim të parave për të kryer sabotim dhe sulme të tjera kundër vendit të tyre.
17-vjeçari tha se ishte udhëzuar të instalonte dhe të vendoste një telefon brenda furgonit për t’ia transmetuar skenën drejtpërdrejt mbikëqyrësit të tij, në mënyrë që ata të mund ta aktivizonin pajisjen nga distanca kur dikush të hynte në automjet.
Megjithatë, shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës po e monitoronte dhe e parandaloi sulmin. Vlad, tani 18 vjeç, është në pritje të gjyqit për akuza për terrorizëm, akuza për të cilat mund të dënohet deri në 12 vite burg.
I ulur në qendrën e paraburgimit të sigurisë së lartë në Rivne me avokatin e tij në krah, ai pranon se mund të ketë kontribuar në vdekjen e dikujt.
“E mendova. Por askush nuk i pëlqen oficerët ukrainas të rekrutimit ushtarak”, thotë ai.
“Mendova: Epo, do të jem thjesht si të gjithë të tjerët”, shton ai.
SBU raporton se gjatë dy viteve të fundit, janë identifikuar më shumë se 800 ukrainas të rekrutuar nga Rusia, 240 prej tyre të mitur, disa vetëm 11 vjeç.
Megjithatë, ekspertja e sigurisë kibernetike Anastasia Apetyk, e cila jep kurse sigurie online në Ukrainë, di raste që përfshijnë fëmijë edhe më të vegjël.
“Ata u përpoqën të rekrutonin fëmijë që në moshën 9 ose 10 vjeç ”, thotë ajo.
Andriy Nebitov, zëvendësdrejtor i Policisë Kombëtare të Ukrainës, thotë se njerëzit që i rekrutojnë ata përdorin një strategji të kërkimit të individëve të cenueshëm që mund të manipulohen lehtë.
“Fëmijët nuk i kuptojnë gjithmonë plotësisht pasojat e veprimeve të tyre”, thotë Nebitov.
“Armiku nuk e ka aspak problem të përdorë të miturit për të bërë eksplozivë nga kimikatet shtëpiake, duke i vendosur ata në vende të ndryshme, siç janë zyrat e rekrutimit ose stacionet e policisë”, shton më tej.
SBU thotë se rekrutimi bëhet kryesisht përmes aplikacionit Telegram, por edhe përmes TikTok dhe madje edhe platformave të videolojërave. Zyrtarët thonë se rekrutët pothuajse gjithmonë binden nga paratë, jo sepse u pëlqejnë rusët.
Vlad thotë se nuk e mbështet Rusinë dhe nuk ka qenë i përfshirë më parë në aktivitete kriminale.
Ai ishte regjistruar në dy kanale në Telegram dhe kishte postuar se po kërkonte punë në distancë. Brenda gjysmë ore, një burrë që e quante veten Roman iu përgjigj. Kur më vonë folën në telefon, Vlad thotë se Roman fliste rusisht me një theks të çuditshëm.
Vladi thotë se fillimisht ngurroi, por u bind të merrte përsipër një sërë misionesh gjithnjë e më të rrezikshme. Së pari, iu tha të merrte një granatë, por kur mbërriti në vendin e caktuar, ajo nuk ishte aty. Megjithatë, atij iu dhanë 30 dollarë.
Disa ditë më vonë, atij iu caktua një mision tjetër: të vinte zjarr një furgoni që i përkiste një qendre rekrutimi, ta filmonte atë dhe të largohej me vrap.
Për këtë sulm, Vlad thotë se mori rreth 100 dollarë në kriptomonedhë, shumë më pak se 1,300 eurot që i ishin premtuar. Romani i tha se do të merrte pjesën tjetër nëse do ta vendoste bombën në Rivne.
Kanalet e Telegramit të shqyrtuara nga BBC, ku po kryhet rekrutimi, nuk janë pro-ruse, por ato po nxisin zemërimin midis disa ukrainasve kundër shërbimit të rekrutimit ushtarak, i cili është përfshirë nga akuza për dhunë dhe korrupsion.
Duke përdorur një telefon me parapagesë dhe një pseudonim, BBC-ja aksesoi disa kanale për të cilat kishte marrë përditësime. Kanalet përmbanin video zjarresh dhe shpërthimesh që dyshohet se ishin porositur. Megjithatë, BBC-ja nuk ishte në gjendje të verifikonte rrethanat në të cilat u filmuan këto video.
Një llogari e kontaktuar nga mediumi britanik ofroi menjëherë të paguante, ose në kriptomonedhë ose nëpërmjet transferës bankar, për zjarrvënie të qëllimshme. Llogaria i tha BBC-së të kontaktonte një llogari të dytë për më shumë detaje dhe më pas mori një mesazh me një listë çmimesh që detajonte shumën që po ofronin për të paguar për objektiva të ndryshëm.
Pagesat varionin nga 1.500 dollarë për vënien e zjarrit në një zyrë postare deri në 3.000 dollarë për një bankë. Bankat ishin më të vlefshme sepse dritaret e tyre të sigurisë me xham i bënin ato objektiva më të vështira.
“Duhet ose të derdhësh benzinë në bankë ose të hedhësh disa kokteje Molotov”, këshillohej në llogari.
Por edhe ukrainasit e zakonshëm që kërkojnë punë mund të gjejnë oferta për të kryer sabotim.
BBC raportoi një numër të këtyre kanaleve, llogarive dhe chatbot-eve në Telegram, i cili hoqi disa prej tyre, por jo shumicën. Një nga kanalet që është ende aktiv është rritur me 750 abonentë që kur media britanike filloi ta monitoronte atë, ndërsa një llogari që raportoi në Telegram se ofroi para direkt për një sulm zjarrvënës është ende aktive.
Në një deklaratë, Telegram tha: Thirrjet për dhunë ose shkatërrim prone janë të ndaluara shprehimisht në Telegram dhe hiqen menjëherë pas zbulimit.
Autoritetet ukrainase kanë emëruar publikisht anëtarët e shërbimeve sekrete ruse të dyshuar se veprojnë si “operatorë” të sabotatorëve.
Megjithatë, disa qeveri evropiane kanë thënë se kanë prova se agjentët rusë po rekrutojnë të rinj për të kryer akte vandalizmi, zjarrvënieje apo edhe mbikëqyrjeje në vendet e tyre. Në Mbretërinë e Bashkuar, gjashtë persona u burgosën për përfshirjen e tyre në një sulm zjarrvënieje të urdhëruar nga Rusia në një depo në Londër që po i ofronte ndihmë Ukrainës.
Në mars, një 17-vjeçar u vra dhe një 15-vjeçar u plagos rëndë kur një bombë që po transportonin shpërtheu në një stacion treni në Ivano-Frankivsk.
Në Ukrainë, qindra të dyshuar si sabotatorë presin gjyqin, por për disa pasojat mund të jenë vdekjeprurëse. Disa të dyshuar janë vrarë nga eksplozivët që mbanin me vete.
SBU-ja pretendon se operatorët rusë i kanë shpërthyer qëllimisht pajisjet nga distanca, duke e ditur se agjentët e tyre do të vriteshin.
Ndërkohë, Vlad ka një mesazh për ata që joshen nga rekrutimet në Telegram.
“Nuk ia vlen. Ose do të mashtroheni dhe do të përfundoni në burg si unë, ose do të përfundoni me një bombë në duar dhe ajo do t’ju hedhë në erë”, thotë ai.