Histeria e Putinit kundër Perëndimit dhe Kosova si antitezë (1) - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

11/02/2020 15:17

Histeria e Putinit kundër Perëndimit dhe Kosova si antitezë (1)

OP/ED

Gazeta Express

11/02/2020 15:17

Kur jemi në prag të festimit të dymbëdhjetë vjetorit të pavarësisë, do mund t’i kujtojmë dy ngjarje fatale për Kosovën, si pasojë e Putnizmit. Së pari, vendimin rus për ta kundërshtuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së intervenimin humanitar të NATO-së më 1999… Së dyti, bllokada ruse me kërcënimin për përdorim të vetos në KS të OKB-së me 2007, nëse propozimi për pavarësi të Kosovës do të vihej në tavolinë

Shkruan: Enver Hoxhaj

Përshtypja e parë

Ishte ulur në zyrë. Si këshilltar i presidentit Boris Yeltsin, Putini po e siguronte mysafirin në mirëbesim se “bashkëpunimi ushtarak është 100%”. Përballë tij ishte Strobe Talbott, nënsekretari amerikan i shtetit dhe njohës i rrallë i Rusisë. Posti shtetëror, afërsia me presidentin Klinton, të cilin e kishte njohur në Oksford, kur Talbott po studionte letërsinë ruse dhe ekspertiza në politikën e jashtme, e favorizonin atë shumë në bisedë. Mirëpo, gjërat nuk ecën mirë mes delegacionit amerikan dhe atij rus. Në takim, mes palës ruse u shpërfaqën dallime të mëdha. Ushtarakët kërkonin diçka tjetër, e diplomatët pretendonin tërësisht të kundërtën. Por, gjithçka rrodhi ndryshe dhe zhvillimet morën kthesë pozitive kur në takim u shfaq Putini, këshilltari i lartë për sigurit i Jeltsinit. Putini, jo fort i njohur deri atë kohë, ishte më i qartë dhe urban sesa bashkëkombësit e tij. Madje, ai e dha një premtim të fortë para kolegëve nga Uashingtoni se “qëndrimi rus do të publikohej para se amerikanët të arrinin në aeroport”. “Kjo qe përshtypja ime e parë për Putinin. Paradite na siguroi se deklarata zyrtare do të bëhej dhe se ruset s’do të hyjnë assesi në Kosovë. “Ende po pres deklaratën … ”, deklaronte Talbott në qershorin e 1999. Amerikanët u kthyen duarthatë në shtëpi nga Moska.

Brenda pak kohe, një dramë tjetër po zhvillohej në Aeroportin e Prishtinës. Një kontingjent i ushtarëve rusë nga Bosnja e Hercegovina marshoi përmes Serbisë drejt Kosovës, duke marrë nën kontroll ushtarak aeroportin në Sllatinë. Pak ditë më herët, Trojka diplomatike – Talbotti, Martti Ahtisaari dhe Viktor Chernomyrdin – i kishte propozuar Sllobodan Millosheviqit planin për Rezolutën 1244. Diskutimi kishte qenë i gjatë mes tre diplomatëve dhe me diktatorin se si mund të bëheshin forcat ruse pjesë e misionit paqësor të OKB-së në Kosovë. Qëndrimi rus ishte se “ne nuk duhet ta pyesim NATO-në për kurrfarë leje. Është e drejta e jonë të veprojmë. Nëse NATO synon t’i vendosë rreth 50.000 njerëz në Kosove, ne do t’i sjellim 10.000.”

Moska kërkoi ato ditë të qershorit autorizim për gjashtë aeroplanë transportues për të fluturuar mbi hapësirën ajrore ukrainase dhe hungareze. Por “harruan” t’i informonin këto shtete se këta aeroplanë po bartnin ushtarë elitë dhe të armatosur për t’u vendosur në Kosovë. Si reagim ndaj kësaj situate, në Evropë, komandanti i NATO-së, Wesley Clark po kërkonte një autorizim tjetër, atë që të goditeshin aeroplanët rusë në rast se do sillnin ushtarë të tjerë në Sllatinë. Në Kosovë, gjenerali britanik, Mike Jackson po ndërmerrte çdo gjë që kontingjenti rus të izolohej dhe dorëzohej. Kur amerikani kërkonte veprim, britaniku e theu urdhrin e tij me përgjigjen epike: “Zotëri, s’dua që të filloj Luftën e Tretë Botërore për ju!” Putini ishte strumbullari i kësaj drame të ngjarjeve duke rikonfirmuar qëndrimin rus, të dhënë nga Chernomyrdin. Por, në fakt, kishte ndodhur e kundërta!

Shmangia e konfrontimit

Përplasja NATO-Rusi ishte shumë afër por drama e aeroportit të Prishtinës u tejkalua. Rreziku u shmang nga bashkëpunimi i mirë menduar mes tyre. Historikisht, kjo ngjarje shënon përfshirjen e parë të Putinit në raport me Kosovën, dhe do ta përcjellë atë për njëzet vite me radhë. Mashtrimi në tavolinë negociatash, dhe kurthet diplomatike të mbuluara me korrektësi janë vetëm maskim i politikës së tij. Një politikë, e cila synonte të dërgonte forca ushtarake në Kosovë dhe t’i ndryshonte faktet në terren. Ishte një mënyrë, natyrisht e pa pritur, për ta rikthyer nën kontroll rus diçka që ishte humbur në tavolinën e bisedimeve.

Marshimi i batalionit rus drejt Kosovës, para se trupat paqësore të NATO-së të vendoseshin aty, ishte një platformë e re e sjelljes së jashtme ruse më 1999. Ata synonin një sektor të veçantë të territorit, mundësisht në veri të vendit, kinse në emër të mbrojtjes së serbëve lokal. Por, e vërteta ishte tjetër – kjo pjesë e Kosovës shihej si një kartë e mirë rajonale gjeopolitike në Ballkan.  Natyrisht, një sektor do ta destabilizonte tërë Kosovën dhe do të krijonte parakusht për një konflikt në mes të NATO-së dhe Rusisë brenda saj. Për më shumë, do ta cenonte rëndë integritetin territorial dhe pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur më vonë.  Gjenerali Clark kujton pritjen ruse për ndarjen e Kosovës që fshihej nën pretendimin e tyre për një sektor të veçantë. Mirëpo, edhe bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht NATO do ta humbte kontrollin e saj mbi tërë misionin. 

Putinizmi si doktrinë

Ngjarjet në vitin 1999 janë premisat e kryehershme për ta kuptuar Putnizmin si doktrinë të politikës së jashtme deri më sot sa i takon shumë temave ndërkombëtare. Ato nuk ishin thjesht një incident ushtarak dhe ballafaqim diplomatik Rusi-Perëndim, por një mendësi dhe sjellje e re, e ndërtuar mbi një vetëdije historike komplekse ruse. Të frymëzuar nga ideologjia e ringjalljes dhe politika e forcës në raportet ndërkombëtare. Ajo do kuptohet më vonë si vazhdimësi dhe si qëllim, sikurse treguan ngjarjet e dhunshme në Evropën Lindore, ndërhyrjet brenda BE-së dhe intervenim të stilit carist në Lindje të Mesme.

Përpjekja për ta dështuar bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, misionin e NATO-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së ishin vetëm premisat e para sesi Rusia do të sillet më vonë në rendin e ri ndërkombëtar, duke minuar atë kudo dhe me çdo mjet. Qasja tashmë është e shpallur nga vetë Putini: nuk ka një rend të përbashkët ndërkombëtar, por një botë policentrike me disa qendra të vendimmarrjes. E të gjitha këto duhet të jenë kundër botës perëndimore, dhe veçanërisht kundër “hegjemonisë amerikane”.

Rruga e vështirë e Kosovës së pavarur dhe shtet-ndërtimit të saj për shkak të kundërshtimit rus është tema me interesante dhe dinamike e përplasjeve në raportet Perëndim-Rusi. Mirëpo, më komplekse dhe më domethënëse është përdorimi i saj për t’i goditur shtetet perëndimore dhe rendin ndërkombëtar që krijoi Kosovën. Që para njëzet vitesh, sjellja gjeopolitike ruse dhe qëndrimi i Putinit tregojnë një veçori afatgjate. Sa më thellë që kuptohet se çfarë dhe si Putin e ka goditur Kosovën në këto njëzet vite, aq me mirë do shohim “botën e tij”. Aq më drejtë do lexojmë rendin ndërkombëtar, dhe ndoshta se kush mund të jetë viktimë e politikës ruse sot, e në të ardhmen. Cilat janë elementet e doktrinës së Putinit të përdoruara në raport me Kosovën? Ku mund ta shohim Putnizmin në veprim diku tjetër në botë? Kur jemi në prag të festimit të dymbëdhjetë vjetorit të pavarësisë, do mund t’i kujtojmë dy ngjarje fatale për Kosovën, si pasojë e Putnizmit. Së pari, vendimin rus për ta kundërshtuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së intervenimin humanitar të NATO-së më 1999. Përkundër faktit, që vetë OKB-ja vitë me radhë kishte konstatuar, dhe dënuar disa herë krimet e Serbisë mbi civilët e pafajshëm në Kosovë. Së dyti, bllokada ruse me kërcënimin për përdorim të vetos në KS të OKB-së me 2007, nëse propozimi për pavarësi të Kosovës do të vihej në tavolinë. Kjo e pamundësoi anëtarësimin e Kosovës në OKB, duke lënë shtetin më të ri në Evropë pa njohje të plotë ndërkombëtare. Ngjarja e parë do ta determintone natyrën e lirisë sonë, e dyta karakterin e shtetësisë. Pasojat janë të mëdha, por do të ishte një interpretim i thjeshtë nëse vlerësohen goditjet e tij vetëm nën këtë dritë. Dëmi është shumëanshëm për Kosovën, ndërsa më vonë viktima të Putnit do të jenë edhe shumë të tjerë. Deri më sot, ai do të shfaqet me  nostalgji për “Rusinë historike”, shpirtin e tij shovinist, vështrimin dhe veprimin përzgjedhës për botën.