Hipokrizi për shëndetësi - Gazeta Express
string(24) "hipokrizi-per-shendetesi"

Hipokrizi për shëndetësi

OP/ED

Gazeta Express

01/03/2024 12:41

Pushtet e opozitë diskutuan edhe njëherë për gjendjen në shëndetësi dhe për sigurimet shëndetësore. Deputetët fajësuan dhe akuzuan njëri-tjetrin. Për dështimin e madh në sistem janë përgjegjëse të gjitha qeveritë. Por edhe pak hipokrizi për qytetarët, partive nuk iu bën keq.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, diskutoi të enjten për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore. Një rast për të folur rreth një çështjeje mjaft të rëndësishme dhe me mjaft probleme në Kosovë. Gjatë diskutimit, deputetët e opozitës kritikuan qeverinë për mospunë, por ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u arsyetua se Qeveria Kurti është dashur të merret me një listë dështimesh të qeverive të kaluara.

Përtej akuzave dhe kundërakuzave, tingëllonin qesharake plot delarata të deputetëve opozitarë, teksa kritikonin për dështime në shëndetësi. Duke i dëgjuar ata krijohej përshtypja sikur nuk kanë qenë asnjëherë në pushtet dhe se çështja e sigurimeve shëndetësore është diçka e re dhe e padëgjuar më parë. Pati të atillë, si Pal Lekaj i AAK’së, i cili tha se “pika më e dobët” për qytetarët që po ikin nga Kosova janë sigurimet shëndetësore, sepse nuk e shohin Kosovën ambient të sigurt për pune e për jetë.

Kritikat për gjendjen në shëndetësi janë të arsyeshme, natyrisht. Por, kur bëhen nga njerëz të ish-pushteteve, të cilët nuk është se kanë bërë hapa seriozë për të përmirësuar diçka, atëherë bëhet fjalë për dyfytyrësi.

Për shembull, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka pasur pushtetin për një dekadë. Pyetja e thjeshtë është: pse nuk u rregullua gjatë asaj kohe çështja e sigurimeve shëndetësore? Në pushtet kanë qenë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Pse nuk u bë agjë në drejtim të përmbushjes së këtij premtimi?

Në vitin 2016, ministri i atëhershëm i Financave, Avdullah Hoti, thoshte se viti pasardhës do të jetë vit i sigurimeve shëndetësore. Natyrisht, nuk ndodhi asgjë. Dhe tash gjendemi në situatën kur një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, kosovarët kanë mbetur të vetmit qytetarë në Europë pa sigurime shëndetësore.

* * *

Ndër vite janë dhënë afate e afate për zbatimin në praktikë të sigurimeve shëndetësore. Ndër vite është thënë e premtuar se edhe kosovarët do t’i gëzojnë ato. Por, marrë parasysh gjendjen në vitin 2024, gjithçka ka mbetur veç në letër.

Para katër vjetësh, në shkurt të vitit 2020, ministri Arben Vitia kishte thënë në një intervistë se sigurimet shëndetësore janë prioriteti i tij kryesor gjatë mandatit. “Sigurimet shëndetësore do të jenë qëllimi ynë kryesor për të pasur një sistem shëndetësor stabil në të ardhmen dhe ky është top prioriteti ynë politik deri në përfundim të mandatit. Nuk ka sigurime shëndetësor pa një sistem informator të duhur”, kishte thënë ai për KTV, duke shtuar se deri në fund të mandatit synojnë të funksionalizojnë edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Mandati i parë qeverisë së Albin Kurtit iu ndërpre, e në mandatin e dytë, që nisi tash tre vjet, fokusi ishte në pandeminë e koronavirusit.

Kur erdhën zgjedhjet lokale, partia e caktoi Vitinë kandidat për zgjedhjet në Prishtinë. Ai i humbi ato, e në postin e ministrit Kurti e solli një doktor nga SHBA’të, Rifat Latifaj. ”I humbur në kohë dhe hapësirë”, ai ishte një dështim i madh. Pas largimit të tij, Kurti e ritheu Vitinë në pozitën e ministrit.

Po të ishte prioritet shëndetësia për qeverinë e Albin Kurtit, ai nuk do ta kandidonte Vitinë për zgjedhjet në Prishinë, as do ta sillte nga diaspora një mjek që nuk ka lidhje me menaxhim.

Po të ishte prioritet shëndetësia për Kurtin tash, tre vjet pas marrjes së pushtetit për herë të dytë, do të ishin bërë hapa kokretë drejt vënies në jetë të sigurimeve shëndetësore.

Edhe kjo qeveri, si të kaluarat, po përpiqet të bëjë investime në pajisje e infrastrukturë, por nuk ka bërë kurrfarë “prerje”, kurrfarë reformimi të sistemit, që do të ndërronte mënyrën se si ofrohen shërbimet shëndetësore, se si njerëzit i sigurojnë barnat e nevojshme, se si sistemi publik të mos mbetet ende vend rekrutimi për pacientë, i plot mjekëve për klinikat e veta private.

Para se të organizojnë sërish diskutime “të jashtëzakonshme” në Kuvend, secila parti duhet “ta kthejë kokën mbrapa”, për t’i parë dështimet e veta epokale.