Diplomati amerikan Christopher Hill kujtoi takimin e parë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi gjatë luftës në Kosovë. Tha se ndodhi në një shtëpi në Dragobil.
Hill tha gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale se në atë takim Thaçi ishte me disa të tjerë.
“Më kujtohet që Krasniqi, në mos gaboj, ka qenë aty. Kanë qenë edhe tre persona tjerë”.
Ish i dërguari i SHBA-së gjatë asaj kohe tha se disa “erdhën me armë në duar dhe unë u thashë t’i linin jashtë shtëpisë”.
Në takim, tha se po i flisnin se sa “i tmerrshëm” ishte Ibrahim Rugova.
“Unë u thashë që unë nuk dua të diskutoj në këtë takim pikëpamjet që ju keni për Rugovën. Kur të organizoni zgjedhje të lira, mund të votoni kundër tij”, tha Hill.
Diplomati amerikan tha se “ekzistonte një përceptim” që ai ishte “i afërt me fraksionin apo me palën e Rugovës”, por shtoi se “Rugova ishte simbol i Kosovës”.
“Unë po përpiqesha që të mos përfshihesha në biseda të tilla”, tha ai.