Hikmet, aristokrati popullor i poezisë - Gazeta Express
string(37) "hikmet-aristokrati-popullor-i-poezise"

Hikmet, aristokrati popullor i poezisë

Gazeta Express

03/12/2019 11:24

Hikmeti është prej atyre  poetëve  që  vetëm i shtojnë  në kohë lexuesit dhe admiruesit e tyre. Ai është  turk, europian dhe mondialist njëkohësisht. Bashkëkohor dhe  i gjithëkohshëm njëherësh. I vdekshëm dhe i pavdekshëm

Preç Zogaj

Lexo Edhe:

Kishim lexuar poetë moderne  francezë, anglezë, spanjollë, italianë,  grekë,  ruse, rumunë, kur një pasdite, gjatë një vizite rituale në shtëpinë e Besnik  Mustafajt, i cili po shërohej dalëngadalë nga pasojat e një aksidenti me makinë në rrugën e Burrelit, ai më dha disa përkthime të poetit turk Nazim Hikmet.

Ka kaluar rreth tridhjetë e pesë vjet  që nga ajo ditë. Por nuk e kam harruar kurrë  përndritjen e menjëhershme dhe një ndjenjë mrekullimi që më trasmetuan vargjet e  këtij poeti.

“Deti më i bukur s’është lundruar ende/ Fëmija më i bukur  ende s’është rritur/Ditët më të bukura, ditët me të bukura  ende s’i kemi jetuar/ Dhe fjalën më të bukur që kam për ty/ ende s’ta kam thënë”.

Ishin vargje  të një pastërtie, thjeshtësie, bujarie dhe fisnikërie të rrallë. Prapa tyre shihje  një udhëtar  me zemër të madhe, që ka vuajtur, që ka ëndërruar, që ka  shpresuar, që ka luftuar, që është shpaguar në fund të fundit në endjet e tij të pasosura, që dallon me gëzim, me shqisën e dashurisë, horizontin e një bukurie ku ai vetë ndoshta s’do të mbërrijë, por njerëzimi po. Ky ishte  Nazim Hikmeti, një zë nga më të  ndjerët dhe më të  fuqishmit në koncertin e poezisë botërore të  shekullit të njëzet. Për shkak të një rastësie, Mustafaj iu vu punës për të përkthyer Hikmetin pas aksidentit që e shkëputi për disa kohë nga  impenjimet e zakonshme të periudhës. Me shumë se sa një punë e mirëfilltë me pretendimin për  të sjellë në letrat shqipe një poet modern, të papërkthyer më  parë, shqipërimi i Hikmetit ishte për  të një njëlloj fizioterapie këmbëngulesë në dorën e aksidentuar të shkrimit  dhe një terapi kundër vetmisë dhe  izolimit  për shkak të aksidentit.

Mustafaj i botoi  disa nga poezitë e Hikmetit në një vëllim modest, që  pati jehonën e një ngjarjeje të  madhe në  jetën tonë letrare dhe kulturore të gjysmës së parë të viteve tetëdhjetë. Poezia e Hikmetit kumboi  në idiomën tonë si muzika e një dhimbjeje të re, të shtruar, të panjohur; e një dhimbjeje të drejtpërdrejtë, të epërme, plot me  dritë, plot me prarim, që vetëm poezia e madhe mund ta ketë, që vetëm poeti i madh mund ta krijojë e përcjellë duke u ngritur mbi aksidentet e fatit, mbi rrethanat, mbi mizerjen, mbi vuajtjet, mbi torturat, mbi të gjitha llojet ndëshkimeve. I tillë ishte Nazim Hikmeti, poeti sykaltër, një hero lirik, që vjen të këndojë përjetshmen, edhe pse e përkohshmja e ka marrë në shenjë për ta lidhur, izoluar e vrarë.

Njëzet e gjashtë vjet më vonë  Mustafaj iu rikthye  këtij poeti, duke botuar një  përmbledhje  më të plotë  dhe shumë më të kuruar profesionalisht, vëllimin “Barra e shenjtë”, në të cilin bashkë më poezitë më të mira të botimit të parë, ai  përfshiu  disa  poezi që nuk mund të botoheshin dikur për  shkak të kritereve ideologjike të kohës, si dhe mjaft  poezi të reja. Por ato të “vjetrat ”, sëpaku për mua, më duket se kanë mbetur  kartvizita e papërsëritshme e Nazim Hikmetit në shqip. Ndërkaq jam i bindur se lexuesit e poezisë, të vjetër apo të rinj, do të mrekulloheshin nga çdo botim me poezi të Nazim Hikmetit.

Hikmeti është një poet që bashkon si pakush tjetër estetikën e lartë me  thjeshtësinë, elitizmin me populloren. Poezia e tij është një ligjërim i çiltër, i qartë, i thjeshtë, plot me figura dhe imazhe poetike spontane, që gati gati e shndërrojnë ligjërimin poetik në ligjërim të zakonshëm dhe nga ana tjetër, vetvetiu, e ngrenë ligjërimin e zakonshëm hikmetian në rangun e ligjërimit hyjnor. Ai shpeshherë shkruan sikur flet. Në të folurën e tij gjithçka bëhet ar, art. Edhe shprehjet me prozaike, edhe deskriptivizmi i mirëfillte  fitojnë një kadencë arti në poezinë e tij. E gjithë kjo falë  gjendjes dhe atmosferës  kurdoherë poetike  të ligjërimit të tij. Por edhe  falë novacionit madhështor që solli në  gjuhën dhe mjetet shprehëse të poezisë. Ai realizoi ndërprerjen e traditës së poezisë otomane të divanit.

Ai kreu një big-bang të vërtetë brenda gjuhës së vet amtare. E thonë me një gojë shumica e studiuesve  të tij:  Ai ka përmbushur një shndërrim të tillë të verbit poetik turk që në gjuhet e tjera europiane e kanë përmbushur dy a tre breza  shkrimtarësh.  Hikmeti është poeti që  ngriti  në lartësinë e artit poetik vetë të folurën. Ai ëndërronte që e folura  poetike të bëhej instrumenti i lartë i bashkëbisedimit mes njerëzve. Te Hikmeti njeriu dhe poeti janë një. Përkojnë. Thjeshtësia, sinqeriteti dhe utiliteti janë parime të artit të tij. “Mendoj”, thoshte, se poezia duhet të jetë parasëgjithash e dobishme… E dobishme për gjithë njerëzimin, e dobishme për një klasë,  për një populll, për një njeri të  vetëm…E dobishme për një kauzë, e dobishme për veshin.. Dua të jem i kuptuar dhe i lexuar nga një masë sa më e madhe njerëzish, në të gjitha nivelet e ndryshme të kulturës, në të gjitha gjendjet e ndryshme shpirtërore, nga gjeneratat e ardhshme”.

Poezitë e dashurisë, që shkroi  kryesisht në  dekadën e fundit të jetës, janë ndër më të bukurat  që janë shkruar ndonjëherë  nga dora e një poeti.

Ti s’je më këtu/ U shkretua një prej qyteteve më të bukur  të botës/ u zbraz si dorashka kur ti e ke hequr prej dore/U  fik si fikën  pasqyrat kur nuk të shohin ty”

Shkëputëm vetëm këto katër vargje nga gjenia hikmetiane e veshur me yje. Lexues duhet ta dijë  se e gjithë bota e tij lirike kumbon prej fisnikërisë. Dashuria në poezinë e Hikmetit është një  koncept shumë  i lartë. Figura e gruas mishëron atdheun, ëndrrat dhe shpresat e tij. Mishëron vetë fenë e poetit.

Shumë të  ndjera, të veshura me një  tis pikëllimi, por pa dëshpërim, janë poezitë për vdekjen. Nazim Hikmeti do të vdiste  në moshën  gjashtëdhejtë e një vjeçare nga një goditje infarkti.  Ai e parandjeu vdekjen dhe shkroi për të vargje prekëse  të një thjeshtësie e thellësie të pakrahasueshme.

Hikmeti është prej atyre  poetëve  që  vetëm i shtojnë  në kohë lexuesit dhe admiruesit e tyre. Ai është  turk, europian dhe mondialist njëkohësisht. Bashkëkohor dhe  i gjithëkohshëm njëherësh. I vdekshëm dhe i pavdekshëm. Dhe kam bindjen se do të lexohet po  kështu edhe në të ardhmen. Një fenomen  i mirëfilltë letrar i shekullit të njëzet, fatin e të cilit e përcaktoi në një fare mënyre jeta e tij e trazuar prej rebeli, kërkuesi dhe humanisti të madh. Lindi dhe u rrit në një familje aristokrate turke  nga një baba turk dhe nga një nënë me origjinë gjermane, shumë e kultivuar, falë së cilës njohu qysh në adoleshencë Bodlerin, Lamartinin dhe shumë  poetë modernë. Në moshën tëtëmbëdhjetë vjeç përshkoi me këmbë gjithë Anadollin, ku njohu faqen tjetër të Turqisë, Turqinë e  popullit.

Ky është moment i kthesës në jetën e tij si poet dhe intelektual. Idhtar i lirisë dhe shembull i  antikonformizmit, ai nuk gjeti paqe as me qeverinë e mikut të  familjes së tij, Mustafa Qemal Ataturk. Dy herë u detyrua ta braktiste atdheun si klandestin, gjykatat turke të kohës e dënuan disa herë si kundërshtar politik, në total iu dhanë gjashtëdhjetë e gjashtë vite burg, prej të cilëve kreu tetëmbëdhjetë. Mendohet se i shpëtoi vrasjes falë një mbrojtjeje të fshehtë të Mustafa Qemalit, i cili ishte një lexues i poezisë së Hikmetit.

 “Është poeti më i madh i Turqisë”, thoshte për të. “Mëkat që është kundërshtari ynë politik”.