Hapja e dosjeve të spiunëve në shtetet postdiktatoriale, kudo, është një terapi e mirë “shëruese”. Kjo vlen edhe për shoqërinë shqiptare në Kosovë. Prandaj vetë intelektualët do të duhej të bëjnë më shumë presion që ato, bazuar gjithnjë në procedura ligjore legjitime, të hapen dhe të fitohet, në mos “liria”, së paku lloj “çlirimi” i mëkatarëve. Sepse, thoshte Gëte: Ju jeni të lirë nëse ndërgjegjja juaj është e pastër. Kështu ishte dhe kështu do të jetë gjithmonë.
Ibrahim Berisha
Boris Akunjin, shkrimtar ruso-gjeorgjian, kaq mund të bëj për atë që po ndodhë në Rusinë e Putinit dhe në Ukrainën e sulmuar nga ai: E di që Putinlandia dhe Rusia nuk janë një dhe e njëjta gjë, por tani nuk ka asnjë ndryshim për gjithë botën. Ndihem i tmerrshëm për ukrainasit. Ndihem i tmerrshëm për rusët përgjegjës që janë nën sundimin e maniakëve. Ndihem i tmerrshëm edhe për rusët e mashtruar, të cilët tani do të gëzohen. Më 24 shkurt 2022, filloi një epokë e re për të gjithë. E tmerrshme. Sa do të zgjasë dhe sa viktima do të duhen?
Kështu ka ndodhur gjithmonë. Të përgjegjshmit janë ndier të tmerruar, dhe të pandërgjegjshmit krenarë me krimin, pushtimet dhe propagandën e luftënxitjeve.
Fjala është më shumë për teprinë e kulturës dhe filozofisë, kjo si një edukatë dhe traditë zyrtare shoveniste, e nacionalizmit shtetëror dhe mungesë e energjisë humane-intelektuale. Fjalimet dhe veprat artistike të periudhës së nxitjes së luftës ishin të mbushura me energji irracionale, mite e buçimë, burime që nxisin urrejtje dhe tërbim kundër popujve të tjerë. Ishte kjo energjia, e cila e bartur edhe në masën e hutuar dhe të frikshme, nga procesi i ndryshimit të sistemit, do të shpërthejë bashkë me energjinë e kësaj mase, duke përdorur forcën dhe duke lënë mënjanë vlerat etike, për të cilat mendohej se ishin më të fuqishme se sa në të vërtetë u dëshmua gjatë luftërave që pasuan njëra mbas tjetrës nga Sllovenia deri në Kosovë.
Në atë kondicion fjalish motivuese, vërehet se intelektualët serbë veprimet politike dhe nacionale i ndërtuan mbi imagjinatën tragjike të historisë, delir jo rrallë. Potencial mendor e fizik shpërthyes, urrejtje dhe krim. Nacionalizmi që ata prodhuan, vazhdon edhe sot të plasohet përmes indoktrinimit, si një ushqim i domosdoshëm për secilin anëtar të “bashkësisë së zgjedhur”.
Shqiptarët e kanë të freskët këtë propagandë të shkrimtarëve serbë zjarrvënës dhe strukturë aktive e krimit që vriste shqiptarët, boshnjakët, kroatët, nisur nga Dobrica Qosiq, presidentit të Jugosllavisë së Millosheviqit, 1992-1993, kur ndodhi gjenocidi në Bosnjë dhe dhuna masive shtetërore ndaj shqiptarëve në Kosovë. Madje në këtë kohë. Ky baba serb shkrimtar avokoi hapur për ndarjen e Kosovës.
…
Edhe kështu, shkrimtarët provojnë të tregojnë si ka qenë si është dhe si do të jetë bota. Këtë e bënë edhe poetja ukrainase, Natalka Bilotserkivets, kur shkruan për dashurinë në Kiev:
“Është shumë më e tmerrshme dashuria në Kiev sesa
Pasionet e shkëlqyeshme veneciane. Fluturat
Fluturojnë lehtas me pika drite si qiriu-
Flatrat e shndritshme të vemjeve të vdekura ndizen!”
Këtu nuk merr fund dashuria e tmerrshme e Kievit sot, sikur dje që nuk mori në Prishtinë, pardje në Sarajevë. E nesër, mund të mos marrë fund as në ndonjë kryeqytet tjetër të Evropës.
Shkrimtari postmodern rus, Vladimir Sorokin, e nxjerrë çmimin e krimit të një të marri, siç është Putin: Është turpi ynë, por fëmijët tanë, brezi i rusëve shumë të rinj dhe ende të palindur, fatkeqësisht do të duhet të mbajnë përgjegjësinë për të. Ne nuk duam që fëmijët tanë të jetojnë në një shtet agresor, të turpërohen sepse ushtria e tyre sulmoi një shtet fqinj të pavarur. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Rusisë që t’i thonë jo luftës.
Por, lufta ka vazhdon dhe do të vazhdojnë luftëra të tjera, ndërsa shkrimtarët do të shkruajnë pa mundur të shlyejnë atë që kanë thënë, siç thotë George Santayana, poeti dhe prozatori spanjollo-amerikan.
Shkrimtari ushtar: Një nga burimet e krijimit të propagandës kundër shqiptarëve, ishte “Francuska 7”, adresa simbolike në Beograd e shkrimtarëve të Serbisë. Kudo që kishin pasur rast të jenë, ata me diskursin kolonial, nënçmues e fyes, kërcënues dhe po aq fashist, njihnin vetëm një të vërtetë, të vërtetën serbe. Prandaj dhe vetëm sa kryenin shërbimin ushtarak. Emrat si Qosiq, Ekmeqiq, Bullatoviq, Xhogo, Drashkoviq etj., luftën e mbanin në gojë si armë kulturore për të kryer shteti serb spastrimin e serishëm të Kosovës nga shqiptarët.
Shkrimtarët serbë u treguan të dobët shumë edhe në fillim të vitit 1988 kur u bënë diskutimet me shkrimtarët shqiptarë. Pse shkrimtarët shqiptarë dolën plotësisht fitues? Pasi shtylla e mendimit të tyre qe humanizmi dhe e vërteta, dhe ato kur peshohen nga një palë e tretë, në ketë rast opinion ndërkombëtar, lënë mbas një rrënojë kashte. Shkrimtarët serbë nuk kishin forcë për të realizuar atë që u thoshin ndër dhëmbë shkrimtarëve shqiptarë: “Nëse nuk i aktivizojmë ne sa më parë forcat intelektuale dhe morale të kulturë serbe dhe shqiptare për kërkimin e rrugëdaljes së arsyeshme e demokratike nga gjendja e pikërishme, urrejtja do t’na shpie në fatkeqësi të paparapara”.
Intelektualët serbë, këta shkrimtarë, edhe pse i kishin shërbyer gjatë komunizmit, duke u ndjerë të rrezikuar me proceset që po ndodhnin në rrugë dhe institucione, transformohen, bëhen pjesë e retorikës më agresive, frymëzues dhe prijës të aksioneve fashiste që do të përfundojnë me tragjedinë më të madhe në Evropën e pasluftës së Dytë Botërore. Do kujtuar se Qosiqi, krahas Kërlezhës, ishte shkrimtari më i preferuar i Titos. Ndikues pa kufizime në politikë e kulturë. Qosiqi bie më 1966 kur i kundërvihet Titos për largimin e Rankoviqit nga politika dhe qeverisja jugosllave.
Shih, kryetari i “Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë” Matija Beçkoviq (1989) në këtë kohë, thotë: “Në Kosovë është derdhur gjithë ai gjak serb dhe gjithë ato kujtime të shenjta na lidhin për të, dhe ajo do të mbetet tokë serbe edhe sikur asnjë serb të mos mbetet në Kosovë”. Pra, gjithçka ka të bëjë me gjakun. Derdhjen e tij. Por jo gjakun serbë, por gjakun e shqiptarëve, në këtë rast, sikur më parë që do të ndodhë, me gjakun e kroatëve, boshnjakëve.
Pastaj, fashizmi i hapur: Dobrica Qosiqi, një nga ideologët e hegjemonzimit dhe të luftërave të Serbisë në ish-Jugosllavi, në një shkrim botuar në gazetat e Beogradit (“Novosti”, 22. 03. 2003), kishte dhënë orientimin e riformatuar gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Serbisë që duhej zbatuar ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në kushtet e reja, pas intervenimit të NATO-s dhe vënies së Kosovës nën administrimin civil ndërkombëtar (UNMIK) .
Duke pranuar hapur, por zemërthyer Qosiq propozon formulën e re të zgjidhjes, duke kërkuar që të shfrytëzohet rasti për “Përkufizimin” e domosdoshëm dhe të ri ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. “Razgranicenje” pra ky përkufizim, si e paraqet ai saktësisht, do të ishte: Në Kosovë, përreth manastireve dhe enklavave serbe, duhet të formohen shtetëzet e pavarura, sikur janë San Marino, Andora, Vatikani, Litenshtajni, pastaj të tilla të ngjashme, me të drejtë të përafërta juridike-shtetërore, ngjashëm sikur janë bashkësitë e pavarura në Evropë, si është Alanda në Finlandë, pjesët me serbë në Kosovën e Veriut, të cilat edhe i takonin deri në vitin 1958, t’i bashkëngjiten (rikthehen) Serbisë, kurse pjesët jugore të Kosovës, ku jetojnë me shumicë shqiptarët, t’i bashkëngjiten Shqipërisë dhe shtetit të pavarur shqiptar, nëse këtë e duan vetë shqiptarët e Kosovës.
Demokracinë kjo elitë nuk e sheh si sistem të lirisë. Intelektualët serbë nocionin demokraci e përdorin në kontekstin e kufizimit të të drejtave dhe lirive të popujve joserbë, veçmas të shqiptarëve. Demokracia barazohet me radikalizmin ekstrem dhe luftimin e shoqërisë së lirë dhe liberale. Njëherësh ëndrra e të gjithë këtyre pseudodemokratëve nuk ishte krijimi i një shoqërie dhe shteti modern perëndimor, pluralist dhe me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, por një shtet konservator, tradicional dhe nacionalist serb që i shtyp popuj të tjerë.
Shkrimtari serb, Vuka Drashkoviq, shumë vonë, vetëm më 2023 duke parë mos ndryshimin e politikës së regjimit në Beograd, sugjeron Evropën :”Të kërkosh përfundimisht që Serbia të përballet me të vërtetën dhe, nuk mund të përballet me të vërtetën pa hapur dosjet sekrete të UDB-së, pa lustruar shërbimet e sigurisë, të cilat nuk e di më nëse janë serbe apo ruse, largimi nga ato shërbime i të gjithë atyre që kanë lidhje me vrasës, me mafiozë, me shërbimin rus mbi të gjitha dhe miratimi i një ligji të ngjashëm me ligjin e miratuar nga Gjermania kur hapi dosjet sekrete të Stasit dhe hapi derën për shërimin e popullit gjerman”.
Pak hamendje të qëndrueshme mund të ketë nëse gjithë tragjedinë që ka ndodhur gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë, të mendohet se pikërisht linjat e strukturuara të shërbimeve sekrete të mos kenë pasur një ndikim relevant, për të risistemuar kapacitetet kriminale, që nga ekonomia e deri tek politika.
Edhe Kosova është në një formë, në këtë rrezatim. Në Kosovë nuk ka diskutime për hapjen e dosjeve të spiunëve, të gjitha shërbimeve, dhe abstenimi nga kjo punë që është edhe detyrim i shoqërive postkomuniste, e mban gjithë ambientin publik në një ngërç të pandalshëm. Mund të merret me mend se në çfarë pozite e roli janë kontigjentet e spiunëve që dosjet e tyre i ka Serbia.
Hapja e dosjeve të spiunëve në shtetet postdiktatoriale, kudo, është një terapi e mirë “shëruese”. Kjo vlen edhe për shoqërinë shqiptare në Kosovë. Prandaj vetë intelektualët do të duhej të bëjnë më shumë presion që ato, bazuar gjithnjë në procedura ligjore legjitime, të hapen dhe të fitohet, në mos “liria” së paku lloj “çlirimi” i mëkatarëve. Sepse, thoshte Gëte: Ju jeni të lirë nëse ndërgjegjja juaj është e pastër. Kështu ishte dhe kështu do të jetë gjithmonë.
LNeptun, rrjeti më i madh i pajisjeve elektronike në Kosovë, sjell edicionin e shumëpritur të kampanjës “Ditët me FAT”...