Prej largimit të Dardan Molliqajt, pozitën e Sekretarit Organizativ, Albin Kurti ua jap zyrtarëve që nuk asnjë të përbashkët me ish-bashkëpunëtorin e tij. Dhe, konsiderohet se e ka defaktorizuar këtë pozitë qëllimshëm. Sepse, njëherë, sekretari organizativ ia ndau partinë në dysh.
Gazeta Express
Alim Rama, një milioner që ka vepruar për disa vjet në Afganistan, bart tani një prej pozitave dikur më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje.
Fuqia politike dhe roli i Sekretarit Organizativ në LV ka rënë, sa më shumë që është fuqizuar Kurti.
Sekretari Organizativ e një partie kosovare mund të jetë dukur rol i parëndësishëm, deri kur Lëvizja e majtë u bë parti dhe këtë pozitë e mbante Dardan Molliqaj. Ai ishte një nga tre njerëzit kryesorë, që e bashkëdrejtonin Lëvizjen Vetëvendosje, subjektin që çudiste në terren. Në këtë treshe ishin kryetari i partisë, Visar Ymeri dhe lideri de facto i saj, Albin Kurti.
Deri në vitin 2017, Molliqaj kishte rolin e prijësit në organizimin e protestave dhe aksioneve të Lëvizjes Vetëvendosje, kundër çdokujt që kishte pushtet në Kosovë. Mbahet mend një prej protestave, ku ai e kishte nxjerr dhunshëm nga vetura një zyrtar ministror. Partia përkrahte veprimet e Sekretarit.
Në verën e 2017-s, Molliqaj dha dorëheqje nga pozita e Sekretarit, pak pas zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat LV-ja dyfishoi numrin e deputetëve në Kuvend, duke u bërë grupi më i madh parlamentar.
“Fitorja e jashtëzakonshme e Lëvizjes tonë na ka vënë para vendimeve të reja. Prandaj, në konsultim me Kryetarin e Lëvizjes, z. Visar Ymeri si dhe strukturat tona, vendosa të jap dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ të Lëvizjes”, kishte shkruar Molliqaj në njoftimin për dorëheqjen nga pozita.
Atë kohë, dorëheqja e Molliqajt i dha një shkëndijë spekulimeve se LV-ja po ndahej në dy grupe, në grupin e Molliqajt dhe në grupin e Kurtit. Deri atëherë, përçarjet brenda LV-së po mbaheshin të fshehta me zell të madh të aktivistëve nga të dy grupet. Vetëm pak muaj më vonë, nisën largimet e shumë zyrtarëve të lartë të LV-së, të cilave u prinin Molliqaj dhe kryetari i deritanishëm, Visar Ymeri.
Në riorganizimin e partisë, pas largimeve, përcillej më vëmendje se kush do të ishin tani njerëzit që Kurti do t’i mbante në krah, si Molliqajn dikur.
Lideri i LV-së, të cilit iu desh t’i ndahej partia, për ta pasur i vetëm drejtimin e saj, kishte zgjedhur ekstremin e kundërt të Molliqajt për ta zëvendësuar.
Vlora Haxhimehmedi për katër vjet ka bartur pozitën e Sekretares Organizative të LV-së. Përderisa paraardhësi i saj ishte prej figurave që shfaqej kudo, Haxhimehmedi është parë rrallë, e është deklaruar publikisht edhe më rrallë.
Zgjim Hyseni, ish-zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje e tash i PSD-së, thotë se Kurti “ka traumë” nga sekretari organizativ.
“Kurti ka traumë prej pozitës së sekretarit. A e mbani mend dikush emrin e ish-sekretares? Pozita e sekretarit tash është vakante. E dimë se kurrfarë roli s’ka me pasë më kjo pozitë”, ka thënë ai në emisionin Pressing, ku po analizohej kryesia e re e LV-së.
Hyseni pyet se a mbahet në mend emri i ish-Sekretares, por Kurti i jep merita të mëdha dhe e veçon Haxhimehmedin me falenderim, ndër të tjera, për “ndershmërinë”.
“Një falënderim të veçantë, kryetari Kurti e ndau për Sekretaren Organizative Vlora Haxhimehmedin, për të cilën tha se përmes punës së palodhshme, kursimit të kujdesshëm, dhe të ndershmërisë, ka vendosur një transparencë absolute në gjithë funksionimin e Lëvizjes tonë kaq të madhe, Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhej në kumtesën e LV-së, pas zgjedhjes së kryesisë së re.
Sekretari organizativ i ri, milioneri i panjohur
Në zgjedhjet e fundit të brendshme, LV-ja, tash duke udhëhequr shtetin, befasoi edhe më shumë me zyrtarin që kishin zgjedhur për Sekretar Organizativ.
Aty u vu Alim Rama, një zyrtar i LV-së, që deri tash dihet se është në listën e zyrtarëve milionerë të Lëvizjes së majtë.
Ai në vitin 2020 është zgjedhur anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor nga LV-ja.
Në një biografi të tij në KQZ, thuhet se Rama ka qenë menaxher i Projektit për Mbështetje të Zgjedhjeve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Afganistan, me buxhet vjetor mbi 100 milionë dollarë dhe rreth 120 pjesëtarë të stafit.
Po ashtu, aty figuron se Sekretari Organizativ i LV-së ka shërbyer edhe si këshilltar i lartë i Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Afganistan.
Një tjetër pozitë që e ka mbajtur është ajo e këshilltarit të lartë të Komisionit për Reformë Zgjedhore në Afganistan.
Rama këtë vit ka të deklaruar rreth 1 milion euro para të gatshme personale të tijat, 271 mijë euro të përbashkëta dhe gjysmë milionë euro prona. /Express/