Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar nisjen e një fushate ofensive kundër Hezbollah në Liban, e cila sipas tyre pritet të zgjasë disa ditë.
Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, deklaroi se Izraeli nuk do të mbetet më vetëm në pozicion mbrojtës, por po kalon në ofensivë. Ai theksoi se ushtria duhet të përgatitet për disa ditë intensive luftimesh dhe të mbajë një gatishmëri të lartë, si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë ofensiv, me operacione që mund të zhvillohen në valë të njëpasnjëshme.
Përpara se IDF të njoftonte sulme të reja në Liban, një zyrtar i lartë ushtarak izraelit paralajmëroi se Hezbollahu do të “paguajë një çmim të lartë” për sulmet e tij.
“Hezbollahu zgjodhi regjimin iranian në vend të shtetit të Libanit dhe nisi një sulm ndaj civilëve tanë. Ne ishim të përgatitur – dhe ata do të paguajnë një çmim të rëndë”, tha Rafi Milo, shefi i Komandës Veriore të IDF-së, në një deklaratë të kohëve të fundit të publikuar nga IDF-ja.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftojnë se kanë nisur një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave të Hezbollah në Liban.
Sipas deklaratës së IDF-së, objektivat e goditura përfshijnë magazina armësh dhe infrastrukturë shtesë ushtarake në disa zona të vendit. Sulmet vijnë pas paralajmërimeve për evakuim të banorëve të mbi 50 fshatrave në Libanin jugor, me arsyetimin se kushdo që ndodhet pranë anëtarëve apo aseteve ushtarake të Hezbollahut rrezikon jetën.
Përshkallëzimi nisi në orët e para të së hënës, kur Izrael filloi sulme ndaj objektivave që i cilësoi si të lidhura me Hezbollahun, pasi grupi militant lëshoi raketa drejt territorit izraelit.
Ndërkohë, kryeministri i Libanit, Navaf Salam, paralajmëroi kundër lëshimit të raketave nga Libani jugor, duke e quajtur një akt të papërgjegjshëm që rrezikon sigurinë e vendit dhe mund t’i japë Izraelit pretekst për të vazhduar sulmet.