Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës lidhur me procesin hetimor për numërimin e votave në komunën e Klinës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve.
Tutje, shtohet edhe se, pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë shtatë kryesues të vendvotimeve në këtë komunë, përcjell Gazeta Express.
Komunikata:
Komunikatë e përbashkët për media e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Policisë së Kosovës
Ndalohen për 48 orë 7 kryesues të vendvotimeve në Klinë
Pejë, 12 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës lidhur me procesin hetimor për numërimin e votave në komunën e Klinës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve.
Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë shtatë (7) kryesues të vendvotimeve në këtë komunë.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente.
Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar për ruajtjen e integritetit të votës së lirë të qytetarëve, ndjekjen e personave që dyshohen për përgjegjësi penale dhe ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës.