Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar sipas një kallëzimi penal, lëshoi urdhër për zbatimin e një procedure hetimore kundër tre personave nga Shkupi. Ekziston dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “bashkim kriminal” dhe veprën penale “prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë ose eksplozivë”, transmeton Portalb.mk.
Në kuadër të procedurës para-hetimore, është përcaktuar se ekziston dyshimi se individët po organizohen për t’u hakmarrë ndaj vëllezërve të tyre të cilët u akuzuan dhe u dënuan për veprën penale “organizatë terroriste” vitin e kaluar. Sipas provave të mbledhura deri më tani, të dyshuarit vepruan në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, si një grup me një angazhim të përbashkët ideologjik. Ekzistojnë dyshime se janë ndërmarrë aktivitete për të mbledhur fonde nga vendi dhe jashtë vendit dhe se ato janë përdorur për propagandë, si dhe për furnizimin e armëve.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, dhe nën udhëheqjen e prokurorit publik, dje nga Prokuroria Publike NKOK u kryen bastisje në shtëpi dhe lokale të tjera në disa lokacione në Shkup. Gjatë bastisjeve u gjetën dhe u sekuestruan armë zjarri, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale.
Me propozim të prokurorit publik kompetent, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi që të dyshuarit të mbahen në paraburgim për 30 ditë, për shkak të ekzistencës së bazave ligjore të parashikuara në Ligjin për Procedurën Penale.
tag_katrorimaqedoni_2